Kosovë, masa e përkohshme hyn në fuqi deri me 8 gusht 2025

27.07.2025 16:44

Ka hyrë në fuqi sot, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës...

Ka hyrë në fuqi sot, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes të cilit u ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me Seancën Konstituive.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme “ex officio” ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

Analisti politik nga Kosova, Tomor Avdia, për TVM2, thotë se rendi kushtetues i Kosovës duhet të mbrohet, dhe deputetët duhet ta mbarojnë punën e tyre, por tash, fjalën e ka Gjykata Kushtetuese.

“Dështimi i mbrëmshëm i seancës së fundit për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është një arsyeje ku politika  në vend nuk ka arritur  për të përceptuar  votën e qytetarëve, dhe për ta dërguar aty, ku ata kërkojnë, dhe vendi pritet të shkoj para dy skenareve. Skenari i parë është që  pas datës 8 gushtë  Presidentja ose Gjykata Kushtetuese, mund ti bëjnë zero të gjitha mandatet e deputetëve të kësaj legjislature, dhe e dyta është që  pas kësaj date, menjëherë presidentja e vendit  Vjosa Osmani, mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme  në një afat prej 45 ditësh, që i bie, që të njëjta duhet të mbahen  kah fundi i muajit shtatorë” – deklaroi analisti nga Kosova, Tomor Avdia.

Ndryshe dje përsëri ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën dhe tha se pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese. (Fitim Kryeziu, TVM2)