Për tre ditë rresht temperature ekstreme! Si po e përballojnë qytetarët valën e të nxehtit?
Për të tretën ditë me radhë...

Për të tretën ditë me radhë, vendi po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, me temperatura që në disa rajone arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Ndonëse sot temperaturat kanë rënë për dy tre gradë, indeksi i rrezikut për shëndetin është i lartë dhe autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët për kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të pikut të ditës.
Në qytete, rrugët duken më të zbrazëta gjatë mesditës, ndërsa shumë prej tyre kanë kufizuar daljet në ambiente të hapura.
Për këtë arsye Qeveria ka miratuar një paketë rekomandimesh që do të jenë në fuqi deri sonte në mesnatë. Qytetarët po përballen me sfida të ndryshme.
Por sa ata realisht po i respektojnë rekomandimet për të mos lëvizur pa nevojë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
“Shumë janë të larta, se unë jam në Shkup prej 60-së temperatura më e larta ka qen në Shkup 36 gradë Celsius, kur u kanë këtu 36 ne kohën e Jugosllavisë, atëhere po nuk kish ndërtesa nuk kishte kështu kulla të mdhaja ish ndërtimi ajrit, vardari ishte i lirë, këtu tash kan bërë mura kinez, xhon kenedia.” - tha një qytetarë i Shkupit.
“Po s’ki qysh me u mbrojt, s’ka, zdi qysh mu e mbrojt, hije s’ke, parqe jo, s’ki kurxha edhe pse je pensioner, kush po të pyë” – tha një tjetër qytetarë nga kryeqendra jonë.
“Rrijmë në shtëpi, dalim në mëngjes, deri ka dreka, edhe aq.” – u shpreh një tjetër qytetarë.
“Shumë ekstrem, se di veç brenda me klima me nejt, zakonisht në aksham ma mirë, më fllad pak, veç edhe në aksham nxeht shumë.” – u shpreh një qytetarë tjetër.
“Sot ma freskët pak, ndërhije po hecim deri ka ora 14:00 shkohet, mandej pak problem është” – theksoi një qytetarë tjetër.
“Po mbrohemi ndërhije, taksi punojmë, është shumë e vështirë, por duhet patjetër.” – deklaroi një qytetarë tjetër i Shkupit.
Punonjësit në ndërtim, tregtarët në tregjet e hapura dhe kategoritë që detyrimisht duhet të jenë në terren, përballen me vështirësi të mëdha. Shumë kompani kanë shkurtuar oraret e punës për të mbrojtur punonjësit.
Ndërkohë, institucionet shëndetësore në vazhdimësi rekomandojnë:
• Qëndrim në ambiente të freskëta dhe të ajrosura
• Konsumim të shtuar të lëngjeve, veçanërisht ujit
• Shmangien e aktiviteteve fizike të rënda gjatë orëve të nxehta
• Veshje të lehta dhe të çelura
Ndryshim më të madh të motit pritet nga e hëna, kur temperaturat e ditës do të bien gradualisht, kështu që deri të mërkurën do të bien nga 8 deri në 10 gradë celsius, krahasuar me ato që i kishim këto ditë. (Abibe Qaili, TVM2)
