Situata me zjarret, përplaset pushteti dhe opozita
Partitë politike janë përplasur për situatën me zjarret....

Partitë politike janë përplasur për situatën me zjarret. LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në në pushtet, se ka dëshmuar paaftësi totale për ta menaxhuar gjendjen.
“Situata me zjarret në vend është alarmante. Mbi 50 zjarre janë regjistruar brenda një dite, ku tashmë disa ditë me rradhë janë duke u djegur malet dhe pyjet, respektivisht zjarre ka në Berovë, Prilep, Katllanovë, Petrovec, Kërçovë, Kratovë, Kriva Pallankë, Zhelinë, Makedonski Brod. Mbi 20% e sipërfaqes totale të pyjeve dhe livadhave janë djegur, shkrumuar dhe janë shëndërruar në hi. Në vend të një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe të fortë, qeveria e VMRO-DPMNE ka treguar paaftësi katastrofike në përballimin e zjarreve” – tha Jovica Jankoviç nga LSDM.
Por kështu nuk mendon kryeministri Hirstijan Mickoski. Ai vlerëson se situata me zjarret është stabile dhe nën kontroll, pasi që janë vënë në funksion të gjithë avionët operativ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, MPB-së dhe Armatës.
“Për çdo ditë kemi mbi 30 zjarre. Ditë më herët patëm mbi 50 zjarre aktive. Dyshohet se shumica e tyre janë zjarrvënie të qëllimshme ose të shkaktuara nga pakujdesia. Deri më tani, mund të them se në korrik e kemi mbajtur situatën plotësisht nën kontroll. Të gjithë avionët operativ që kanë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ushtria dhe policia janë në funksion, ndërsa në funksion janë vënë edhe ato automjete speciale, që i përgatitëm, sepse e dinim se çfarë na pret këtë verë, janë në funksion” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski njëherit kujtoi se tani më është aktivizuar mekanizmi evropian për mbrojtje civile, por, siç tha ai, duke pasur parasysh përhapjen masive të zjarreve në të gjithë Evropën, ka shanse të mos ketë avione të lira që do të ishin pjesë e këtij mekanizmi të BE-së që do të ndihmonte autoritetet në përballjen e stuhive.
Deri tani rreth 200 pjesëtarë të armatës, si dhe qindra nëpunës policor janë duke vepruar në terren, tha Mickoski me këtë rast. (Rexhep Qamili, TVM2)
