Rikthehet përmendorja e Andon Llazov-Qoseto, Mexhiti: Po nxiten probleme ndëretnike

28.07.2025 16:12

Përmendorja e figurës kontroverze të Andon Llazov-Qoseto...

Përmendorja e figurës kontroverze të Andon Llazov-Qoseto, gjatë natës së kaluar është rikthyer tek rreth rrotullimi para hotel, “Continental”.

Zëvendës kryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se veprimi i tillë është meritë e bashkëpunimit Arsovska – Osmani – Bexheti, me qëllim nxitjen e tensioneve ndëretnike për ti shpëtuar humbjes zgjedhore.

“Sa i përket përmendores, ju qoftë për hajr dhe e falënderojmë me ironi, publikisht shoqen e Bujarit dhe të Blerim Bexhetit, Danella Arsovskën, me këtë mënyrë që e ka bë dhe janë në gjendje për ti ngrit tensionet ndëretnike, për të shkaktuar probleme ndëretnike, vetëm e vetëm për të marrë ndonjë pikë politike, apo për ta shpëtuar veten nga humbja që i pret”. – tha Zv.Kryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Arsovska arsyeton veprimin e qytetit të Shkupit

Por kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në një njofttim të sajin në rrjetete sociale, është shprehur se Shkupit i është rikthyer, sipas saj, një figurë me peshë historike në përpjekjet për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur.

“Andon Lazov Qoseto, i njohur për shpirtin e tij luftarak dhe sfidën, është një simbol i historisë maqedonase dhe një nga pjesëmarrësit e shquar në Kryengritjen e Ilindenit. Roli i tij në lëvizjen revolucionare është me rëndësi të paçmuar për lirinë dhe pavarësinë e sotme të vendit tone”, - thuhet në njoftimin publik të Arsovskës.

LSDM kundër vendosjes së përmendores

Socialdemokratët kundërshtojnë veprimin e Arsovskës. Sipas tyre kryeqyteti nuk ka nevojë për monumente të recikluara dhe kontroverze.

“Shkupi nuk ka nevojë për çmenduri të re monumentale, por për zbatimin e projekteve dhe përmirësimin e jetës së banorëve të Shkupit. Banorët e Shkupit kanë nevojë për një Shkup të pastër me ndërmarrje funksionale si dhe ripërtëritjen e transportit publik”, - thuhet në reagimin e LSDM-së.

Kjo përmendore për herë të parë u vendos mbrëmjen mes 6 dhe 7 shtator të vitit 2014 përpara Gjykatës Supreme të Shkupit, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Por u mënjanua gjatë vitit 2018-të kur me qytetin kryesonte Petre Shilegov, pasi e cilësoi si ndërtim të paligjshëm.

Monumenti u dërgua në depot e Fabrikës së Metalit “Tito”. Iniciativa për rikhtimin e monumentit në sipërfaqe erdhi në vitin 2023 nga Arsovska, ndërkaq vendimi u morr në vitin 2024. (Meral Ismaili, TVM2)