Situata me zjarret, 51 vatra aktive në ambiente të hapura
Autoritet e vendit vazhdojnë betejën me stuhitë e mëdha...

Autoritet e vendit vazhdojnë betejën me stuhitë e mëdha me zjarret në vend. Deri në këto momente ende nuk janë shuar të gjitha zjarret.
Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 51 vatra aktive në ambiente të hapura. Prej tyre 35 janë shuar tërësisht, 7 janë vënë në kontrollë të pjesërishëm, ndërsa 9 të tjera rezultojnë të jenë ende aktive.
Në mesin e zjarreve të shuara është edhe ai mbrëmë në Katllanovë të Shkupit, ku ekipet kanë arritur të vënë nën kontroll. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë, vullnetarëve dhe punonjësve komunal, po intervenojnë në terren, nga ajri dhe toka fillimisht për t’i lokalizuar dhe më pas për t’i shuar flakët e mëdha në Vasillevo, Radovish, Berovë, Kriva Pallank, Makedonski Brod, Prilep, Kavadarë dhe në malin Goten që tashmë është duke u djegur bimësi me kërcell të ulët, barë i thatë dhe pyje me pisha.
“Aktive janë zjarret në komunat Vasilevë, Radovish dhe Berovë në fshatin Nivicinë, në malin Goten i madh dhe malet e Maleshevës, pyll me drunj të ulët, bredh, shkurre dhe vegjetacion i ulët. Pastaj në komunën e Prilepit – fshatin Beshishtë, në vendin e quajtur ‘Beshishki Rid’, një krah drejt fshatit Gradeshnicë të komunës së Novacit, si dhe një tjetër drejt kufirit me Greqinë ku tashmë është duke u djegur pyll i përzier. Në Prilep dhe Kavadar – ndërmjet fshatrave Careviq, Smollanë, Radobil dhe Dren dhe Galishtë e Trstenik ku pyll i përzier dhe vegjetacion i ulët janë përfshirë në disa flakë. Pastaj zjarre aktive ka edhe në komunën e Makedonski Brodit, respektivisht ndërmjet fshatrave Qereshevë, Lokvicë dhe Krapë”, - thuhet në komunikatën e QMK-së, ku njëherit theksojnë se zjarre aktive ka edhe ndërmjet fshatrave të Cerovës dhe Grupçinit në komunën e Zhelinës.
Situata më e rrezikshme paraqitet në malin Goten të Radovishit.
“Po përpiqemi që t’i ndalojmë zjarret në një vend që kemi përcaktuar në afërsi të malit Goten të Radovish, me qëllim që të mos rrezikohen vendbanimet që janë më poshtë. Ne do të qendrojmë këtu derisa është nevoja, duke i përdorur të gjitha resurset që i kemi në dispozicion dhe shpresojmë se do ti lokalizojmë zjarret. Sa i përket zjarret nga ana e Berovës, ku me automjete të specializuara po përpiqemi të mbamë situatën nën kontroll deri në këto momente” – tha Zv.Drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kire Mihailov.
Nga Drejtoria për Mbrotje dhe Shpëtim informojnë se në terren veprojnë qindra pjesëtarë të armatës, policisë dhe ndërmarrjeve komunale, ndërsa bashkëpunimin është në nivel.
Shpresojnë se me ndryshimin e motit këto ditë, do të shuhen tërësisht të gjitha vatrat aktive.
“Zjarri pranë Gotenit është ende më i vështiri për t’u shuar, por edhe ai mbi fshatin Qosevicë pranë Makedondska Kamenicës është poshtu, ku një pyll me pisha është pjesërisht i prekur dhe ka kapacitet për t’u shuar, si dhe zjarri në Çashkë pranë fshatit Oreshe, ku digjet bimësi e ulët, por edhe një pyll ahu. U bëjë thirrje të gjithë banorëve të fshatrave dhe zonave malore, ku shtëpitë e tyre është në vijën e parë drejtë natyrës ku janë rrethuar me vegetacion që ti lëvrojnë tokat përreth shtëpive të tyre.” – deklaroi Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov.
Angellov njëherit bëri të ditur se Sllovenia dhe Franca kishin dërguar ofertat e tyre për ndihmë me ekip prej 50 zjarrfikësish dhe automjete speciale zjarrfikëse.
Ofertat siç tha Angellov, po shqyrtohen dhe së shpejti do të merret një vendim se si të veprohet.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thanë se një pjesë e madhe e zjarrëve të regjistruara janë zjarrëvnie të qëllimshme, ku tashmë kjo drejtori ka dokumentuar disa raste, motive të cilët deri tani janë të paqarta. (Rexhep Qamili, TVM2)
