BDI: Qeveria mos të përjashtojë mërgatën

28.07.2025 18:33

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpreh shqetësimin lidhur me vendimin, siç thonë diskriminues të Qeverisë për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve, që sipas tyre, dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë komunat ku pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë shqiptarë.

Kërkojnë që Qeveria të shfuqizojë menjëherë vendimin që diskriminon komunat dhe përjashton mërgatën.

“Që në javën e parë të mandatit të saj, kjo qeveri ndërmori një veprim të paligjshëm dhe antikushtetues, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme metodologjinë e përllogaritjes së përqindjes së popullsisë, përmes përjashtimit të banorëve ‘jo-rezidentë’, që në praktikë nënkupton përjashtimin e mërgatës shqiptare. Si rezultat, përqindja e shqiptarëve në vend u ul artificialisht nga 29.5%, sipas regjistrimit të vitit 2021, në 24.3% – një përqindje madje më e ulët se ajo e regjistrimit të vitit 2002, kur shqiptarët përbënin 25.17% të popullsisë” – tha Arbër Ademi nga BDI.

VLEN: BDI pranoi fajësinë për fshirjen e mërgatës

Nga ana tjetër ka reaguar VLEN. Ata akuzojnë BDI-në për fshirjen e diasporës shqiptare me regjistrimin e vitit 2021.

“Sot, para syve të opinionit publik dhe mediave, Bashkimi Demokratik për Integrim pranoi publikisht fajësinë për njërën nga padrejtësitë më të rënda dhe antikushtetuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, fshirjen e mërgatës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 përmes metodologjisë skandaloze që i ndau banorët në rezident dhe jo rezident. Në vend që të japë llogari për këtë akt të rëndë politik e kombëtar, ata iu shmangën çdo përgjegjësie, duke heshtur për faktin se regjistrimi u bë në kohën kur BDI ishte në pushtet dhe kishte përfaqësuesin e vet në Entin Shtetëror të Statistikave”. – tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Nga atje shtojnë se në tetor 2025, përgjigja më e fuqishme do të vijë nga qytetarët dhe nga mërgata, të cilët do të zgjedhin barazi, drejtësi dhe përfaqësim të dinjitetshëm. (Armend Murseli, TVM2)