PS thellon avantazhin, konfirmohen mandatet në Fier, Elbasan dhe Durrës
Pas më shumë se 2 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit....

Pas më shumë se 2 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, shpërndau sot mandatet e qarkut Fier, Elbasan dhe Durrës. Rrëzimi i ankimit të PD-së edhe në Kolegj Zgjedhor i hapi rrugë KQZ certifikimit të rezultatit në këto 3 qarqe, ku opozita pretendonte manipulim të rezultatit, por as rinumërimi nuk solli asnjë ndryshim.
Zegjine Çaushi do të ulet në Kuvend në shtator edhe pse nga rinumërimi humbi me 10 vota diferencë me kandidaten Maldrita Bardho. Celibashi njohu dorëheqjen e Bardhos nga mandati duke ia dhënë zyrtarisht Çaushit.
Ndërkohë, kërkesa e kandidates demokrate Andia Ulliri për t’ marrë vendin Arjan Ndojës, më të votuarit të listës së hapur në Durrës, u rrëzua.
Në Elbasan, PD pësoi humbje të thellë dhe rezultati u nda 10 me 4 për Partinë socialiste.
Në Durrës PD ruajti rezultatin 6 me 8 por me një rënie të thellë prej 10% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Edhe Fieri ishte një prej qarqeve ku opozita pësoi disfatë, 12 mandate shkuan për PS dhe vetëm 4 për PD.
Megjithë këtë, zgjedhjet nuk do të certifikohen ende, pasi duhet pritur beteja e dy kandidatëve që kërkojnë të hyjnë në Kuvend, përpjekje që do të shkojë në KAS dhe në fund në Kolegjin Zgjedhor.
Kur të kenë përfunduar të gjitha këto, Komisioni Rregullator do të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. (Luljeta Ndoka, TVM2)
