Botë

Jemen: Kanë vazhduar sulmet ajrore të Arabisë Saudite

18.05.2015 09:23

Në Jemen kanë vazhduar sulmet ajrore të udhëhequra nga Arabia Saudite kundër kryengritësve shiitë huthi, pasi ka përfunduar armëpushimi pesëditësh humanitar...

Zyrtarët e sigurisë së Jemenit sot kanë thënë se sulmet ajrore i kanë goditur pozicionet dhe tanket e kryengritësve në qytetin jugor, Aden.
 
Dje, liderët e Jemenit janë takuar në Arabinë Saudite për të ardhmen e vendit të tyre, por në këto bisedime nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e shiitëve huthi.
 
Përfaqësuesit e këtij grupi etnik e kanë refuzuar synimin kryesor të bisedimeve triditëshe, rikthimin e presidentit në ekzil, Abed Rabbo Mansour Hadi, dhe nuk janë pajtuar që negociatat të mbahen në Arabinë Saudite.
 
I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Jemen, Ismail Ould Cheikh Ahmmet, dje u ka bërë thirrje të gjitha palëve që armëpushimi të çoj në paqe.
 
Prej marsit të këtij viti, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërmerr sulme ajrore kundër kryengritësive shiitë huthi./evropaelire