Botë

Tërmet prej 8.8 ballësh në Kamçatka, paralajmërim për cunami nga ShBA deri në Japoni

30.07.2025 13:04

Një tërmet me magnitudë prej 8.8, shkalësh, një ndër tërmetet...

Një tërmet me magnitudë prej 8.8, shkalësh, një ndër tërmetet më të fuqishmit ndonjëherë, goditi gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami deri në katër metra të lartë.
 
Paralajmërime për cunami kishte në Shtetet e Bashkuara, Japoni, Kinë, Filipinet, Indonezi, Peru dhe ishujve afër Ekuadorit. Kjo ka nxitur paralajmërime për evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor. Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa mbi 1.9 milion japonez janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta.     
                                             
“Si fenomen, cunami gjithmonë mund të jetë më i madh se vala e parë. Ju lutemi vazhdoni të qëndroni të evakuuar derisa të hiqet paralajmërimi”, u shpreh drejtori i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, Masashi Kiyomoto.     
                                                                                         
“Vendosëm të largohemi nga shtëpia dhe të shkojmë në një vend të sigurt. Kaluan disa pika karburanti për të furnizuar makinat. Kemi tri automjete dhe 15 anëtarë të familjes. Ky është paralajmërimi im i parë për cunami, gjithçka është e re për ne”, theksoi qytetari.       
                                                       
“Çdo stacion karburanti ishte i mbushur plot me njerëz. Po përpiqem të ndjek paralajmërimet. Deri tani kam përjetuar 3–4 paralajmërime për cunami dhe po përpiqem të qëndroj i qetë”, u shpreh qytetari. 
 
Operatori i centralit bërthamor japonez në Fukushima njoftoi se i ka evakuuar punëtorët në një vend të sigurt. 
                                                              
“Për shkak të këtij tërmeti, është lëshuar paralajmërim nga Hokaido deri në prefekturën Vakayama për cunami deri në 3 metra përgjatë bregdetit të Paqësorit në Japoni”, theksoi ministri kryesor i kabinetit japonez Joshimasa Hajashi.           
                                                                                
Pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë që goditi rajonin lindor të Rusisë, vullkani Klyuçevskoi në gadishullin Kamçatka ka shpërthyer me forcë, duke lëshuar një re të madhe hiri që ka arritur një lartësi prej 3 kilometrash mbi nivelin e detit.  
 
Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike”. 
 
Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik. Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie. 
 
Sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 125 kilometra nga Petropavlovsk, qytet me rreth 165,000 banorë në bregdetin e gjirit Avaça.
 
Pllaka tektonike e Paqësorit dhe ajo kontinentale e Amerikës së Veriut takohen pranë gadishullit Kamçatka, gjë që e bën rajonin një nga më të ndjeshmit ndaj tërmeteve në botë. 
 
GYLTENE SINANI