Aliu dhe Fetai në Tetovë, park përkujtimorë për viktimat e spitalit modular

30.07.2025 14:30

Me një minutë heshtje...

Me një minutëheshtje dhe me vendosjen e luleve për nder të 14 viktimave të spitalit modular, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe zëvendëskryeministri Arben Fetahu, njoftuan sot fillimin e punimeve për ndërtimin e parkut përkujtimor në nder të  viktimave të kësaj tragjedie.

Ky projekt sipas Aliut është bërë në bashkëpunim me familjarët e viktimave, dhe i njejti nuk do të vendoset në vendin ku ndodhi tragjedia, por në bazë të infrastrukturës së kampusit spitalor, tha Aliu.

“Sot nuk fillojmë vetëm ndërtimin e një parku, sot fillojmë ndërtimin e një ndërtese kolektive, të vonuar por të domosdoshme. Ky projekt nuk është për tu dukur,  por është përgjegjësia për fat të keq e vonuar që një sistem duhej ta kishte dhënë që në fillim. Parku memorial ndërtohet me strukturën e kompusit. Tetova do ketë komplet një pamje ndryshe, dhe në këtë aspket ne shohëm infrastrukturën e kampusit që është brenda dhe ky park do ta ketë vendin në qendër aty ku duhet, të ketë hapsira për ulje të ketë një hapësirë në mes që ngjason me tragjedinë që ndodhi dhe kjo ka arrdhur edhe një herë, e potencoj në bashkëpunim me arkitekët dhe familjarët, pra të ndërtohet park aty ku e ka vendin në aspket të infrastrukturës së kampusit”. – tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Fetai tha se 14 viktimat e spitalit modular humbën jetën në dorë të shtetit dhe rrethana mizore. Fetai kërkon drejtësi për ketë rast dhe rastet tjera, ku humbën jetë dhjetra persona.

“14 pacientë humbën jetën në dorë të shtetit, ata kishin ardhur për tu shëruar, por humbën jetën në kushte dhe rrethana mizore. Sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për viktimat, për familjet e viktimave të tragjedisë së Tetovës, njejtë siç nuk ka fatkeqësisht drejtësi edhe për viktimat dhe familjet e tyre në rastet e tjera tragjike. Padrejtësia e vonuar është padrejtësi, me 8 shtator bëhen katër vite nga  tragjedia e Tetovës dhe ende institucionet e drejtësisë në vendin tonë nuk e kanë sjellur drejtësinë. Si Qeveri zotohemi që do bëjmë përpjekjet maksimale, si për tragjedinë e Tetovës, po ashtu edhe për rastin Llaskarca dhe autobusin në Bullgari. Bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që një ditë e më parë të sjellin drejtësi për familjet dhe drejtësia më në fund të vihet në vend” – tha Zv.Kryeministri i vendit, Arben Fetahu.

Njëherit Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bëri të ditur angazhimin që familjarët e 14 viktimave të spitalit modular, shërbimet mjekësore ti kenë falas, por që kjo të ndodhë janë të nevojshme ndryshime ligjore, të cilat Aliu premtoi se do të ndodhin shumë shpejtë. (Visar Sadiku, TVM2)