Kandidaturat për zgjedhjet lokale, liderët e VLEN mblidhen për të definuar emrat
Liderët e koalicionit VLEN..

Liderët e koalicionit VLEN sot mblidhen për të rrumbullakësuar kandidaturat për zgjedhjet lokale. Zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, është shprehur se emrat përfundimtarë do të shpalosen ditëve në vijim.
Fetai ka komentuar edhe emrat e kandidatëve të ASH-së, së Taravarit në katër komuna Gostivar, Saraj, Vrapçisht dhe Tearcë.
“Ai vazhdimisht ka thënë se Ali Ahmeti i’a jep gjashtë komuna, doli që i dha pak më pak, i’a dha katër. Emrat kanë qenë të ditur. E kemi ditur që në dhjetor, mars që këta emra do të dalin me përkrahje të BDI-së, pra këta janë kandidatë të BDI – së, do të ketë lista të përbashkëta me BDI-në dhe shkrirje të Arben Taravarit në BDI.” – tha Zv/kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.
ASH: VLEN pa kandidatë serioz në zgjedhje
Alenaca për shqiptarët e Arben Taravarit ka drejtuar akuza VLEN-it se janë koalicion pa përmbajtje e drejtim në mungesë të kandidatëve serioz në zgjedhje.
“Në vend të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, ata janë të përfshirë në përçarje të brendshme. Kandidatë seriozë nuk kanë, as mbështetje reale dhe vision. Dhe për të shmangur përgjegjësinë, kanë nisur një fushatë linçimi ndaj liderit Arben Taravari, duke e akuzuar për çdo dështim, ndërkohë që vetë janë autorët e krizës, rrënimit dhe mungesës totale të drejtimit politik”, thuhet në reagimin e ASH-së së Arben Taravarit.
BDI reagon për numrin e ulur të këshilltarëve
Nga BDI janë në fazën finale të nominimeve për garën zgjedhore, ndërkaq kanë vërejtje rreth uljes së numrit të këshilltarëve.
“Kanë kaluar ditë me radhë që kur u denoncua publikisht zvogëlimi i numrit të këshilltarëve në më shumë se 20 komuna ku praktikisht shlyhet mërgata, dhe Qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim, asnjë ndjesë, asnjë sinjal për përmirësim. Heshtja e tyre është dëshmi e qartë se diskriminimi institucional po ndodh me vetëdije dhe me bekimin e Qeverisë”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
BDI ka zbuluar vetëm tre emra të pjesëmarësve në zgjedhjet lokale. Në Tetovë garojnë me Bajram Rexhepin, Zhelinë me Emir Sulejmanin, ndërkaq në Çair me Bujar Osmanin, i cili për kundërkandidat do të ketë Zv.Kryeministrin e parë, Izet Mexhiti. Zijadin Sela mat forcat në komunat Strugë, Dibër dhe Haraçinë. (Meral Ismaili, TVM2)
Kandidatët e ASH-së së Arben Taravarit:
Gostivar – Valbon Limani
Saraj - Blerant Ramadani
Vrapçisht – Isen Shabani
Tearcë – Nazim Taipi
