Ngjarjet e vitit 1992, pllakë përkujtimore afër mbikalimit të Bit Pazarit

30.07.2025 16:22

Komuna e Çairit ka vendosur një pllakë përkujtimore...

Komuna e Çairit ka vendosur një pllakë përkujtimore për katër viktimat e ngjarjeve tragjike të “Bit Pazarit” më 6 dhe 7 nëntor të vitit 1992. Kjo është një plagë e pa shëruar për shoqërinë tonë, pasi përveç katër viktimave, shumë qytertarë u përballën me dhunë e poshtrim vetëm pse kërkonin dinjitet dhe barazi, deklaroi me rastin e vendosjes së pllakës përkujtimore, kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

Ai njëherit bëri të ditur se së shpejti do të publikohet edhe vepra studimore me titull: “E vërteta mbi ngjarjet e Bitpazarit, 1992”, me dëshmi arkivore, rrëfime autentike të personave të mbijetur dhe analiza të thelluara.

“Ajo që ndodhi atë ditë, mbetet një epizod i rëndë dhe i debatueshëm në historinë tonë moderrne për të cilat faktet arkivore dhe dëshmitë që pritet të publikohen në një vepër studimore të veçantë do të ndihmojnë në një kuptim më të thellë të së vërtetës. Sot nuk jemi këtu vetëm për ta kujtuar tragjedinë, jemi këtu për të rivendosur dinjitetin e  atyre që nuk janë më, për të nderuar qëndresën e  atyre që mbijetuan, dhe për ta afirmuar angazhimin tonë institucional që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurr më.” – tha Kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

Njëherit u realizua edhe një marsh simbolik nga “Ura e Gurit” drejtë “Bit Pazarit”, ku ndodhet Teatri shqiptarë, në të cilin u prezentuan fotografi autentike, lidhur me ngarjet e e vitit 1992, kur qytetarë të pafajshëm u vranë dhe u torturuan nga policia.

Në ngjarjet e “Bit Pazarit” në vitin 1992 u arrestuan dhe u torturuan rreth 250 shqiptarë, u bastisën shtëpi të lagjeve Gazibabë dhe Serovë, e u demoluan lokalet në Çarshi, ndërsa katër persona u vranë nga policia dhe 14 të tjerë pësuan lëndime të rënda.

Policia speciale aso kohe kishte ndërhyrë me dhunë ndaj protestuesve në “Bit Pazar” për shkak të dhunës që policia kishte shkaktuar ndaj një fëmije të moshës së mitur. (Abibe Qaili, TVM2)