Carney, Kanadaja do ta njoh shtetin e Palestinës
Pas Francës, Britanisë së Madhe dhe Maltës...

Pas Francës, Britanisë së Madhe dhe Maltës, edhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka dekalruar se vendi i tij do ta njohë shtetin palestinez në shtator.
Ai thotë se marrja e këtij vendimi do të varet nga reformat që do të kryhen, përfshirë zotimin e Autoritetit Palestinez që t’i mbajë zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrjen e Hamasit.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme, dhe Kanadaja do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar në ato përpjekje. Kanadaja prej kohësh është e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që do të jetojë krah për krah me shtetin e Izraelit në paqe dhe siguri” – tha Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të jetë “shumë e vështirë” të arrihet një marrëveshje tregtare me Kanadanë, pasi kryeministri Carney i ka bërë publike planet për njohjen e shtetit palestinez.
Ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit duke reaguar ndaj njoftimeve për njohjen e shtetit palestinez, ka vlerësuar se kjo paraqet “shpërblim për Hamasin”.
Prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, shtetin palestinez e njohin zyrtarisht 147 sosh.
Ndërkohë Organizatat humanitare vazhdojnë të alarmojnë për përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes humanitare në Gazë.
OKB-ja dhe përfaqësuesit palestinezë thonë se pavarësisht pauzave të përditshme të luftimeve nga ana e forcave izraelite, gjendja humanitare atje ka ndryshuar pak.
“Katër ditë pas fillimit të pauzave taktike në Gazë, të shpallura nga autoritetet izraelite, ende po shohim viktima mes atyre që kërkojnë ndihmë dhe më shumë raste vdekjesh për shkak të urisë dhe kequshqyerjes”. – deklaroi Zv.zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Senatorë amerikan shprehin shqetësime për gjendjen në Gaza
Dy rezoluta në Senatin amerikan, që u propozuan si përgjigje ndaj viktimave civile në Gazë dhe që do të kishin bllokuar shitjen e armëve për Izraelin, nuk u miratuan edhe pse më herët këtë vit kishin marrë mbështetje më të madhe.
U hodhën poshtë propozimet për të ndaluar shitjen e bombave dhe për të ndaluar dërgimin e 20.000 armëve automatike për Izraelin, në një marrëveshje me vlerë prej 675 milionë dollarësh.
“Tatimpaguesit amerikanë kanë harxhuar shumë, miliarda dollarë, për të mbështetur qeverinë raciste dhe ekstremiste të Netanjahut. Mjaft më. Amerikanët duan që kjo të përfundojë. Ata nuk duan të jenë bashkëfajtorë në urinë dhe masakrat e përditshme ndaj civilëve”. – tha Bernie Sanders, Senator nga Vermonti.
“Gaza po vdes nga uria për shkak të politikave të Netanjahut. Është koha që ne, si shtet, të themi se tatimpaguesit tanë nuk do ta mbështesin më këtë përpjekje”. – u shpreh Dick Durbin, Senator nga Ilinois.
“Ata i përdorin njerëzit nga Gaza si mburoja njerëzore dhe ua vjedhin ushqimin që u nevojitet. Këta nuk janë njerëz të mirë dhe është në interesin e Amerikës dhe të botës që kjo organizatë terroriste të shkatërrohet”. – deklaroi Xhim Rish, Senator nga Idaho.
Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejta të njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke iu bërë presion qeverive në botë që të veprojnë.
Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në Gazë, përsërit se nuk ka rrethim dhe e fajëson Hamasin për situatën e krijuar. (Gyltene Sinani, TVM2)
