Qetësohet gjendja me zjarret, QMK: Po intervenohet vetëm në malin Goten

31.07.2025 15:19

Dalëngadalë po qetësohet situata me zjarret në vend....

Dalëngadalë po qetësohet situata me zjarret në vend. Mëngjesin e së enjtës në gjithë teritorin e vendit janë regjistruar vetëm tre zjarre aktive. Prej tyre tërësisht janë shuar zjarret në Berovë, Prilep, ndërsa po punohet në shuarjen e vatrave të fundit aktive në malin Goten mes komunës së Vasillevës dhe Radovishit. 

Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë, vullnetarëve dhe punonjësve komunal, po intervenojnë nga ajri dhe toka për ti shuar flakët e fundit në këtë mal, ndërsa në ndihmë është kyçur edhe helikopteri “Bllek Hok” nga Çekia dhe zjarrëfikës nga Sllovenia.

Autoritetet e vendit shpresojnë se brenda ditës edhe ky zjarr do të shuhet tërësisht.

“Deri në këto momente janë shuar të gjitha zjarret përveç atij në malin Goten të komunës së Radovishit. Ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, me automjetet e specializuara si dhe helikopteri “ Bllek Hok” nga Republika Çeke si dhe 30 anëtarë të njësisë kundër zjarrit të Sllovenisë, si dhe punonjës të ndryshëm komunal dhe vullnetar po intervenojnë dhe besojë se brenda ditës edhe ky zjarr do të lokalizohet dhe do të shuhet tërësisht” -  tha Drejtori  i QMK-së, Muhamed  Ali.

Sipas informacioneve të QMK-së bredna 24 orëve të fundit ekipet e përbashkëta kanë arritur të shuajnë gjithsej 28 zjarre më herët të regjistruara. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe në qoftë se vërejnë zjarre mënjëherë t’i denoncojnë ato. 

Sipas informacioneve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, një pjesë e madhe e zjarreve të regjistruara, janë zjarrëvënie të qëllimshme, ku tashmë po dokumentohen rastet, motive të cilët deri tani janë ende të paqarta për autoritetet. (Rexhep Qamili, TVM2)