Gjykata Themelore në Prishtinë, Plleskoviq, 15 vite burg për krime lufte

31.07.2025 16:30

Nën akuzat për krime lufte në Kosovë...

Nën akuzat për krime lufte në Kosovë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vite burg Millosh Plleskoviqin. Ai me një grup serbësh të armatosur, i kanë vrarë tre civilë shqiptarë fqinjë të Plleskoviqit dhe i kanë plagosur disa të tjerë në qytetin e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Plleskoviq ka gjuajtur me armë të tipit ‘Kallashnikov’, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes Fatmir Bojaxhiu, Binak e Reshat Daci, ishin vrarë më 1 shtator 1998, ndërsa të plagosur kanë mbetur Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati.

Familjarët e viktimave dhe avokati, dënimi ishte i ulët, kërkohet dënim i përjetshëm

Avokati i viktimave, Gent Gjini dhe familjarët e viktimave kanë vlerësuar se dënimi i shqiptuar për masakrën e kryer nga Plleskoviqi është shumë i ulët, pasi viktimat ishin pa kokë dhe këmbë.

“Pak është, duhet dënim i përjetshëm. Ai mi ka myt vëllezërit e mi. Ai i ka njohur, ai ka jetuar në mahallën tonë.” – thanë nëna dhe motra e viktimave.   

“Tribunal i Hagës paraqet dënime maksimale, ky denim është shumë pak në raport me rrethanat dhe masakrën që i ka bërë zonjës, i’a ka masakruar dy fëmijë binjak dhe janë faktet dhe dëshmitë se si i ka masakruar, u ka prerë gjymtirët dhe gjykata i ka dënuar 15 vjet. Me ligj të Jugosllavisë ky është diskriminim.” – tha avokati Gent Gjini.   

Por derisa avokati i viktimave ka paralajmëruar ankimim në instancat më të larta,  Prokuroria Speciale e Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin, duke thënë se ai "përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre". (Belinda Koka – Ademi, TVM2)