Përdorimi i gjuhës shqipe, VLEN dhe BDI me akuza për mosrespektim

31.07.2025 17:05

Partitë politike shfrytëzojnë kohën e para shpalljes së zgjedhjeve...

Partitë politike shfrytëzojnë kohën e para shpalljes së zgjedhjeve lokale për të akuzuar njëra- tjetrën për gabime politike dhe institucionale. Nga BDI kanë akuzuar ekzekutivin se po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve  dhe kjo sipas tyre shihet me  mungesën e gjuhës shqipe në procesverbalet zyrtare të cilën e quajnë diskriminim institucional.

BDI i bën thirrje Qeverisë që ta ndalë menjëherë këtë praktikë dhe të ndërmarrë masa urgjente për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për shkeljen e vazhdueshme të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, siç dëshmohet edhe nga rasti i fundit me mosbotimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën shqipe.

“Fakti që, që nga data 10 qershor 2025, janë mbajtur 14 mbledhje të Qeverisë dhe asnjë prej procesverbaleve nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të institucionit qeveritar, përbën jo vetëm një shkelje të hapur të ligjit, por edhe një akt diskriminimi të qëllimshëm ndaj gjuhës dhe qytetarëve shqiptarë”- thuhet në komunikatën e BDI-së.

Nga koalicioni VLEN, duke e quajtur BDI-në subjekt “NON GRATA”, thonë se si opozitë ajo flet për gjuhën shqipe për ta përdorur si mjet manipulimi politik dhe se nuk ka qëllim mbrojtës. Theksojnë se pikërisht BDI-ja, ishe arkitekti i viteve të heshtjes institucionale ndaj shqipes.

Mohojnë se procesverbalet qeveritare nuk janë edhe në gjuhën shqipe, ndërkaq të tilla sipas tyre kanë qenë kur BDI-ja ishte në pushtet.

E vërteta është kjo: “BDI nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për përdorimin e gjuhës shqipe. Në kohën e tyre, gjuha shqipe ishte e pranishme vetëm në premtime, në ndërkohë që komunikimi ndërinstitucional dhe dokumentet zyrtare funksiononin vetëm në një gjuhë, maqedonisht. Sot, falë qeverisjes së re dhe përkushtimit të zyrtarëve shqiptarë brenda VLEN, gjuha shqipe është prezente në çdo vendim qeveritar, në çdo dokument të rëndësishëm dhe në çdo proces të komunikimit brenda institucional…Në kohën e BDI-së, përdorimi i shqipes simulohej. Sot, është realitet institucional.Ne veprojmë. Ne zbatojmë ligjin. Ne e përdorim gjuhën shqipe me dinjitet, jo për marketing, por për baraza”- kundërpërgjigjen nga VLEN, duke i bërë thirrje BDI-së që të mos manipulojë me tema të ndjeshme për shqiptarët. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)