Maqedoni

Liderët partiakë në takim të ri për dalje nga kriza politike

18.05.2015 10:27

Liderët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti nga BDI-ja, Zoran Zaev nga LSDM dhe Menduh Thaçi nga PDSH...

Liderët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti nga BDI-ja, Zoran Zaev nga LSDM  dhe Menduh Thaçi nga PDSH pritet sot në Shkup ta mbajnë takimin e dytë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike në vend.
 
Sikurse të enjten, si vëzhgues edhe këtë herë pritet në takim të marrin pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav.
 
Pas përfundimit të takimit të parë të liderëve, pjesëmarrësit lajmëruan  se është bërë përpjekje të krijohet korrnizë për biseda për dalje nga kriza politike në vend.
 
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Gruevski pas takimit theksoi se populli vendos se kush do të jetë kryeministër dhe kush do të jetë në pushtet,  ndërsa kush në opozitë.
 
"Të gatshëm jemi të punojmë për dialog në të cilin do të shqyrtohen çështjet e rëndësishme për shtetin", tha ai. Përsëriti se nuk ka për qëllim të parashtrojë dorëheqje në funksionin e kryeministrit.
 
Zaev deklaroi se normalizimi i punëve është i mundshëm vetëm me qeveri teknike, e cila, siç tha, do  ta përgatis vendin për zgjedhje të drejta, demokratike dhe të rregullta.
 
"Këtu jemi t'i konfirmojmë përpjekjet tona për kthim të Maqedonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike,   t'i konfirmojmë përpjekjet tona për demokraci, duke përfshirë edhe të drejtën e protestës së qetë", deklaroi Zaev.
 
Liderët e BDI-së dhe PDSH-së nuk dhanë deklarata, por përfaqësuesit e tyre e përshëndetën, ashtu siç ishte potencuar, fillimin e dialogut politik mes katër partive politike më relevante në shtet.
 
Deklarata nuk dhanë as ambasadorët Bejli dhe Orav.
 
Paraprakisht nga takimi u liferua deklarata e përbashkët në të cilën ceket: "Në një javë të vështirë për shtetin, u takuam t'u japim mbështetje të përbashkët vlerave demokratike, përfshirë edhe të drejtën për protestë të qetë dhe dënim të dhunës pa dallim nëse është në qëllime kriminele ose politike. Po ashtu u pajtuam të vazhdojmë me dialogun për përparimin e agjendës evroatlantike për të mirën e qytetarëve.
 
Të martën sërish, liderët e VMRO-DPMNE-së Gruevski  dhe të LSDM-së Zaev, ashtu siç ishte paralajmëruar, duhet të kenë takim në Strasburg në Parlamentin Evropian.
 
Dje LSDM-ja  e përkrahur nga partnerët e koalicionit  dhe organizatat joqeveritare mbajtën protestë për dorëheqje të Qeverisë,  ndërsa aktivistët e saj mbetën para Qeverisë, përderisa partia qeveriare VMRO-DPMNE dhe përkrahësit e saj sonte para Kuvendit do të mbajnë tubim nën moton "Maqedonia e fuqishme"./mia