Qendër e re hetimore në Manastir, Kocevski: Presim rezultate në zbulimin e krimit
Prokuroria Themelore Publike në Manastir...

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka hapur zyrtarisht Qendrën e re Hetimore, fokusi i së cilës do të jetë lufta kundër formave më të rënda dhe më serioze të krimit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin dhe mashtrimet financiare.
Prokurori i Përgjithshëm Ljupço Kocevski, theksoi se pret që kjo Qendër hetimore të japë rezultate të dukshme në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale komplekse.
“Në të ardhmen, pres që këto rezultate të mira t’i ndjekë edhe kjo qendër hetimore në Manastir, ku fillimisht do të punojnë dy hetues, por nuk përjashtohet që sipas nevojave, numri i tyre të rritet. Kjo Qendër Hetimore pranë Prokurorisë Themelore Publike Manastir është e nevojshme, pasi kohët e fundit kjo prokurori ka punuar në disa raste të rënda dhe komplekse, veçanërisht në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, si dhe prokurimeve publike të dyshimta” – u shpreh Prokurori i Përgjithshëm Publik, Ljupço Kocevski.
Sipas prokurores publike të Manastirit, Olivera Neçakovska, bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes organeve të ndjekjes do të rrisë efikasitetin në ndjekjen e krimit.
“Me këtë mënyrë të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm dhe në ekip ndërmjet organeve të ndjekjes dhe Prokurorisë, mund të jemi më efikasë në zbulimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave serioze penale” – deklaroi Olivera Neçakovska nga PTHP – Manastir.
Përveç Qendrës Hetimore në Manastir, janë hapur edhe disa qendra tjera hetimore si ajo në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Gjatë ngjarjes promovuese në Manastir, u bë e ditur se së shpejti do të themelohet edhe një Qendër Hetimore në Prokurorinë Themelore Publike të Shtipit, duke zgjeruar më tej rrjetin e hetimeve në të gjithë vendin. (Armend Murseli, TVM2)
