Komisioni për zgjedhje dhe emërime, Faton Selami propozohet për Avokat të Popullit

31.07.2025 20:04

Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve....

Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve ka miratuar propozimin për emërimin e Faton Selamit në postin e Avokatit të Popullit.

Kryetari i Komisionit, Gjorgji Sajkoski, informoi se në konkursin për këtë funksion kanë aplikuar gjithsej 17 kandidatë, përfshirë edhe Faton Selamin.

Ai vjen nga Tetova, ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës dhe ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore. Selami ka përvojë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Ka punuar në Agjencinë për Informim dhe më pas në Komisionin për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik deri në vitin 2008.

Më pas është punësuar në zyrën e Avokatit të Popullit në Shkup.

Në vitin 2018 u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa nga viti 2020 punon në njësinë rajonale të kësaj ministrie në Tetovë.

Që nga viti 2023 ushtron funksionin e shefit të sektorit për sistemin politik në Ministrinë e Drejtësisë.

Propozimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime për Avokat të Popullit duhet të miratohet në seancë plenare të Kuvendit.