Shkëndija eliminoi FCSB-në, stacioni i rradhës për histori, Karabaku
Fitorja e futbollistëve tetovar me rezultatin e përgjithshëm 3:1 ndaj FCSB-së...

Fitorja e futbollistëve tetovar me rezultatin e përgjithshëm 3:1 ndaj FCSB-së, dikur Steaua e Bukureshtit. Kualifikimi për konkurrimin e mëtejshëm në Ligën e Kampionëve, është një sukses historik për futbollin vendor.
Krahas asaj që FCSB shihej si favorit absolut para përballjes, Shkëndija e drejtuar nga trajneri Jeton Beqiri në të dyja ndeshjet tregoi karakter, shpirt gare dhe mentalitet fitues.
Kështu pas 8 viteve, një skuadër vendore do të luajë në fazën e grupeve të garave të UEFA-së, e cila do të jetë ajo- kampionët, Europa apo Liga e Konferencës, përgjigjen do ta japin futbollistët e Shkëndijës.
“Ishte një ndeshje me shumë emocione, por unë gjatë gjithë javës punoja me futbollistët që nëse do të arrijmë që të kemi besim, guxim dhe të mendojmë që mund të fitojmë këtu, vetëm në atë mënyrë kishim mundësi të kualifikoheshim dhe e dija që do të kemi raste tona, ku për fat të mirë ne i shfrytëzuam ato dhe jemi në xhiron e radhës të Champions League. Kjo do të thotë se është një sukses i përbashkët, i gjithë klubit.” – tha trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri.
“Kuqezinjt”, përballë në rrethin e tretë kualifikues tek kampionët e kontinetit të vjetër do ta ketë Karabagun e Azerbajxhanit. Tetovarët e luajnë ndeshjen e parë në shtëpi më 5 apo 6 gusht, ndërsa dueli kthyes luhet më 12 gusht.
“Duhet të respektojmë patjetër edhe kundërshtarin e radhës që është ekipi i Qarabagut. Është një ekip shumë serioz dhe shumë i organizuar njejtë si ishte edhe Steaua. Për mua dhe futbollistët e mi e rëndësishme është se ne të japim maksimumin, të respektojmë fanellën që bartim, pastaj t’ia lëmë fushës të tregojë rezultatin.” – u shpreh Beqiri.
Shkëndija tashmë, në skenarin më të keq, ka të siguruar fazën e ligës në Ligën e Konferencës së UEFA-së.
Po që se kalojnë Karabakun, do jenë në “play off” për Ligën e Kampionëve.
Eliminimi nuk do thotë mos sukses, pasi tetovarët do luanin “play-offin” e dytë për Liga e Evropë, e në skenarin më të keq do të luajë në grupet e Ligës së Konferencës. Me kualifikimin në raundin e dytë Shkëndija, ka siguruar një vjeshtë evropiane e cila do të mbush arkat e tyre. (Safet Ademi, TVM2)
