BDI fton partitë parlamentare për “veting”, VLEN: Me “veting” filloni nga vetja

01.08.2025 16:25

BDI sërish me thirrje për të gjitha partitë...

BDI sërish me thirrje për të gjitha partitë që të mbështesin propozim - ligjin për “veting”, sepse sipas tyre, kjo është domosdoshmëri institucionale dhe shoqërore për të rikthyer besimin e qytetarëve në drejtësi, në institucionet shtetërore dhe në vetë sistemin demokratik.

Thonë se “vetingun” nuk e duan ata që dhurojnë prona publike, pranojnë donacione të dyshimta serbe dhe ndërtojnë ndërtesa pa leje.

Nuk mund të ketë shtet funksional dhe shoqëri të drejtë, pa një proces gjithëpërfshirës të “vetingut”, theksojnë nga opozita shqiptare.

Qëndrimi i BDI-së është i qartë:

"U bëjmë thirrje, të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim-ligjin e BDI-së për ‘veting’ me mbikëqyrje ndërkombëtare, një proces gjithëpërfshirës dhe i pakompromis, që do të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione. Ritheksojmë vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike, pa përjashtim, për periudhën e 33 viteve të fundit. Kërkojmë verifikimin dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë – të gjithë, pa asnjë dallim."

Nga koalicioni VLEN ftojnë BDI-në që me “veting” të fillojë nga vetja dhe të kontrollojë pasurinë e vetë anëtarëve kryesor të Bashkimit Demokratik për Integrim.

“BDI sa herë që përballet me pyetje për krim, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, fshihet pas një retorike të rreme për njëfarë ‘vetingu’. Por e vërteta është e qartë: udhëheqësia e BDI-së nuk do ta kalonte as kontrollin më të thjeshtë, e lëre më një proces të mirëfilltë të pastrimit dhe përgjegjësisë. Janë mbi 20 vjet në pushtet. Kanë pasur kohë, resurse dhe fuqi dhe po të kishin dashur me të vërtetë ‘veting’, do ta kishin realizuar prej kohësh. Por në vend të kësaj, e përdorin këtë fjalë vetëm kur ndodhen nën presion, si një mbulesë për të fshehur krimin dhe pasurimin personal. BDI nuk e sheh ‘vetingun’ si një mjet drejtësie, por si një instrument politik për mashtrim. Nëse janë vërtet të përkushtuar ndaj ‘vetingut’, pse nuk nisin nga vetja? “- kundërpërgjigjen nga VLEN.

Derisa vazhdojnë të heshtin dhe t’i shmangen përgjegjësisë së vërtetë, çdo thirrje për “veting” nuk është gjë tjetër vetëm se një fushatë e lirë propagandistike, vlerësojnë nga VLEN, dhe sipas tyre, “vetingu” i vërtetë do të vijë në zgjedhjet lokale, sepse konsiderojnë se qytetarët do t’i dërgojnë në histori të gjithë ata që kanë keqpërdorur pushtetin për interesa personale. (Nermin Mulaki, TVM2)