Klinika e veshit, hundës dhe fytit, pajisje moderne mjekësore

01.08.2025 16:58

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski...

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski dhe Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vizituan Klinikën e rekonstruar të veshit, hundës dhe fytit në Shkup.

Drejtori i Klinikës, Igor Kamshikoski, tha se hapësira e Klinikës për veshë, hundë dhe fyt me kirurgji të kokës dhe qafës është e organizuar sipas standardeve më moderne, që kanë  përshtatur edhe sallat e tjera për qarkullim më të thjeshtë dhe më të sigurtë të stafit mjekësor dhe pacientëve.

“Rindërtimi nuk është vetëm estetik. Ne kemi bërë përparimin më të rëndësishëm përmes blerjes së pajisjeve moderne mjekësore, siç është mikroskopi operativ ‘Tivato 700’, një teknologji e përparuar që mundëson dimensione të reja në kirurgjinë mikroskopike. Ky model përdor vizualizim të saktë 3D, u lejon kirurgëve të shohin përmes një ekrani me rezolucion të lartë, i cili zvogëlon ndjeshëm lodhjen e tyre dhe rrit saktësinë. Përveç kësaj, i gjithë ekipi, si dhe kirurgët e rinj, mund të ndjekin operacionet drejtpërdrejtë” – tha Drejtori i Klinikës së veshit, hundës dhe fytit, Igor Kamshikoski.

“Mund të uroj vetëm që punonjësit të kenë më pak punë dhe që ne të përqëndrohemi në parandalim. Por kur pacientët tashmë do t’i përdorin këto ambiente, atëherë të paktën ata duhet të kenë kushte të mira, siç i kemi këtu tani. Falë drejtorit, Fondit, Ministrit, ministrisë dhe punonjësve, tani kemi kushte evropiane me pajisje që janë unike në vendin tonë dhe të rralla në rajon” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

“Janë katër salla operative të renovuara, në aspekt teknologjik ka implementim të mikroskopit, i cili ka tridivizualizim, në aspekt teknologjik është i avansuar dhe gjithashtu janë të punësuar tanimë 3 mjekë specializantë, 5 motra medicinale dhe tre administratorë. Ajo çfarë neve çdo ditë e themi, që na duhet një shëndetësi e cila të jetë kompatibile me standardet europiane, sot këtu e shohim në këtë klinikë.” – deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Drejtori Kamshikovski theksoi se me rëndësi të veçantë është blerja e dy makinave të anestezisë të teknologjisë së fundit që ofrojnë stabilitet të jashtëzakonshëm të ventilimit, dozim të saktë të gazit dhe mjete inteligjente për monitorimin e dinamikës së mushkërive në kohë reale.

Këto makina janë projektuar me mundësinë e ndërhyrjeve të shkurtra dhe të gjata, si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)