Kufizimet bllokojnë shkarkimin e Kocevskit, Mickoski: Shkarkimi i Kocevskit pas zgjedhjeve
Kufizimet ligjore në periudhën parazgjedhore...

Kufizimet ligjore në periudhën parazgjedhore e bllokojnë procesin për ndërmarrjen e hapave konkretë për vazhdimin e procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës, Ljubomir Kocevski, të cilit para disa ditësh iu votua mosbesimi në Kuvend, theksoi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Sipas tij, Kocevski vazhdon të jetë lojal ndaj atyre që më parë i dhanë përkrahje, e kjo është koalicioni BDI-LSDM.
"Opozita më akuzonte se paskam qenë në ndonjë koalicion me të, se paskam diktuar aktakuza, se paskam penguar proceset gjyqësore. Por për disa minuta gjithçka u demantua. E patë kush e mbështeti gjatë votimit, ishte ish-qeveria, deputetët e BDI-së, të cilët më akuzonin se bashkëpunoj me të, në vendimet e tij etnocentrike, sidomos lidhur me tragjedinë e tmerrshme në Koçani. E patë të vërtetën, se ai praktikisht vazhdon të jetë lojal ndaj atyre që më parë i dhanë përkrahje, e ky është koalicioni BDI-LSDM" – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Qeveria, gjatë kësaj periudhe, sipas Kryeministrit, nuk ka mundësi ligjore të ndërmarrë hapa konkretë për vazhdimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit.
"Edhe sikur të donim, tani nuk mund të ndërmarrim asgjë, sepse hyjmë në një proces zgjedhor. Zgjedhjet me shumë gjasë do të shpallen në fund të javës së ardhshme. Kështu që të gjitha proceset për zgjedhje dhe emërime, për shkak të kufizimeve ligjore, do të ndalen. Nga nëntori do të vazhdojmë me atë proces aty ku kemi mbetur" – u shpreh Mickoski.
Në pyetjen shtesë, se çfarë do të ndodhë, nëse në ndërkohë Kocevski jep dorëheqje, Mickoski u përgjigj se edhe në atë rast do të futeshim sërish në një labirint, përkatësisht, se për shkak të kufizimeve ligjore nuk do të mund të zgjidhej një Prokuror i ri i Përgjithshëm i Shtetit.
Ndryshe, më 29 korrik, deputetët me 71 vota "për" votuan interpelancën për punën e Kocevskit, e cila ishte propozuar nga opozitarja, “E Majta”. (Ersan Pajaziti, TVM2)
