Përplasje për reformën në polici, LSDM: Ligji e politizon sistemin

01.08.2025 18:06

Socialdemokratët kërkojnë që presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova...

Socialdemokratët kërkojnë që presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova, të mos i nënshkruajë dekretet për ligjet për policinë dhe për punët e brendshme. Ata thonë se me ndryshimet do të shfuqizohet profesionalizmi dhe policia do të shndërrohet në instrument partiak.

Sipas opozitës, me ligjet e reja ministri do të mund të propozojë drejtor të Byrosë për Siguri Publike nga fushat më të gjëra të shkencave shoqërore, dhe vetë do të mund të emërojë shefa dhe komandantë, pa pasur nevojë që ata të përmbushin kriteret themelore.

Problem, sipas tyre, është edhe fakti që fshihen kriteret profesionale për pozitat drejtuese, gjë që hap hapësirë për instalim të kuadrove partiake.

“Ne jemi thellëisht të bindur se presidentja ka edhe fuqi, edhe vullnet për të qëndruar në anën e Kushtetutës dhe demokracisë dhe sidomos në anën e sistemit meritë, për të cilin e dimë se angazhohet pa u lodhur. Tani e ka shansin që këtë ta tregojë edhe me vepra. E para, është se ky ligj nuk është reformë, por manifest i autoritarizmit. E dyta, goditja ndaj policisë është goditje ndaj sigurisë së qytetarëve, demokracisë dhe sovranitetit të shtetit” – tha Ana Çupevska nga LSDM.

Përplasje për reformën në polici, VMRO: Për herë të parë avancim sipas meritës

Nga ana tjetër, partia në pushtet VMRO-DPMNE, pretendon se ligjet e reja janë në drejtim të profesionalizimit dhe mundësive të barabarta.

Ata akuzuan se Lidhja Socialdemokrate është ajo që e ka politizuar policinë.

“Derisa LSDM-ja drejtonte me institucionet, profesionistët ishin të nëpërkëmbur, ndërsa përparonin vetëm ata që ishin të përshtatshëm për partinë. Ligjet e reja janë në drejtim të profesionalizimit dhe mundësive të barabarta. Ai që është kompetent, që ka përvojë, dije dhe integritet do të përparojë, pa marrë parasysh përkatësinë partiake. Ndryshe nga si ka qenë deri tani.” – u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Ministri Pançe Toshkovski siguron se ndryshimet në Ligjin për Punë të Brendshme dhe atë për Policinë, përbëjnë bazë për një reformë themelore. Ai thekson profesionalizimin, funksionimin më të mirë të shërbimeve policore, kritere të larta për avancim, por edhe përgjegjësi në punë. (Ersan Pajaziti, TVM2)