Trump urdhër të ri për tarifat në 69 vende, RMV 15% tarifa, Serbia 35%, Shqipëria e Kosova 10%

01.08.2025 18:19

Presidenti amerikan, Donald Trump...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin vendosen tarifa doganore më të larta për 69 vende në mbarë botën.

Maqedonia e Veriuut është përfshirë me një normë prej 15 %, aq sa arrijnë edhe tarifat që do të aplikohen për Bashkimin Evropian.

Kjo paraqet ulje të ndjeshme të tarifave sa i përket Maqedonisë së Veriut, pasi tarifat e shpallura në prill për produktet nga vendi, ishin 33 %.

“Nga 33%, ato për ne janë ulur në 15%. Negociatat po vazhdojnë, për momentin jemi në një pauzë, për të thënë kushtimisht. Menjëherë pas pushimeve verore që do t’i shfrytëzojnë si administrata në kabinetin e presidentit, ashtu edhe zyra e përfaqësuesit tregtar të SHBA-së, por edhe njerëzit tanë në ministri dhe institucione, pres që në gjysmën e dytë të gushtit të vazhdojmë me negociatat. Pres që të ulen edhe më shumë” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Serbia ka tarifën më të lartë në rajon prej 35 %, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 30 %. Tarifa më të ulëta në rajon kanë Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, prej 10 %.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka vendosur ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10% për mallrat amerikane, që do të thotë se mallrat amerikane në Kosovë do kenë zero tatim.               

“Nga tani e tutje me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë 0% kur të hyjnë në vendin tonë.  Kosova i mirëpret produktet amerikane dhe tregun e saj, dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve.” – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.                                                                                                                                                  

Tarifat e reja synojnë të “ristrukturohet tregtia globale në favor të punëtorëve amerikanë”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. 

“Besoj se më shumë se 200 vende në botë kanë kontaktuar me ekipin për tregti dhe tarifa. Sigurisht, siç e kemi thënë më parë dhe siç ka deklaruar presidenti, do të ju japim përparësi partnerëve tanë tregtarë kryesorë. Ekipi i tregtisë po punon ditë e natë” – tha Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavit.

Tarifat më të larta janë vendosur ndaj Brazilit 50 %, ndaj Sirisë 41 %.

Mianmari dhe Laosi do të taksohen me 40 %. Eksportet nga Kanadaja do të taksohen me 35 %. India do të përballet me tarifë prej 25 %, Afrika e Jugut me 30 %.

Presidenti amerikan ka shtyrë për 90 ditë vendosjen e tarifave më të larta ndaj Meksikës. Kina ka afat deri më 12 gusht për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme me SHBA-në.                                                                           

“Ashtu siç ka shpallur presidenti amerikan Trump dhe ashtu siç kemi shpallur edhe ne, kemi një afat prej 90 ditësh për të vazhduar bisedimet dhe për të ndërtuar një marrëveshje afatgjate” – tha Presidentja e Meksikës, Klaudia Shajnbaum.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se shtetet që nuk janë në listë do t’i nënshtrohen tarifës standarde prej 10%, të shpallur nga presidenti Trump në prill të këtij viti. Për disa vende, si Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia, tashmë janë arritur marrëveshje me SHBA-në për të shmangur masat më të ashpra.

Por senatorët demokrat kanë kritikuar politikën tatimore të presidentit Trump, duke vlerësuar se kjo po dëmton qytetarët amerikan.

“Lufta tregtare me tarifat e Trumpit është një luftë tregtare kundër popullit amerikan. Këtë javë pamë kaos dhe pasiguri. Investimet në sektorin e biznesit kanë rënë me 3 %, kryesisht sepse njerëzit nuk dinë çfarë do të ndodhë me tarifat.” – theksoi  Çak Shumer - udhëheqës i demokratëve në Senat.

Tarifat e reja amerikane për 69 vende do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, dhe variojnë nga 10 deri në 50%. (Gyltene Sinani, TVM2)