Agjencia e aviacionit civil, 10 kandidatë gati për trajnimin e pilotëve
Dhjetë të rinj të vendit do të fillojnë trajnimin...

Dhjetë të rinj të vendit do të fillojnë trajnimin e tyre për t'u bërë pilotë. Agjencia e Aviacionit Civil do të paguajë gjysmën e parave të nevojshme për trajnimin e tyre, ose 4.200 nga 8.400 eurot e kërkuara. Po bashkëfinancon 27 persona për të marrë licenca, gjë që pritet të zvogëlojë deficitin e personelit. Pilotët e ardhshëm u shprehën të entuziazmuar që ëndrra e tyre e jetës po bëhet realitet.
“Gjatë gjithë jetës kam qenë i apasionuar pas aviacionit. Synimi im jetësor sinqerisht ka qenë gjithnjë që të jem pjesë e aviacionit, që në shkollën fillore, në fakultet e këndej. Edhe temën e maturës e kam pasur të lidhur gjithashtu me aviacionin.” – tha Marko Koleqevski, pilot i ardhshëm.
"Që kur isha fëmijë kam dashur të bëhem pilot. Unë jam inxhinier elektrik me profesion dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua që të mund të filloj ëndërrën time. E shoh të ardhmen time si kapiten i një avioni komercial dhe shpresoj se diçka mund të arrihet që vendi ynë të jetë më i përfshirë në atë industri.” – u shpreh Aleksandar Çavleski, pilot i ardhshëm.
Kanë aplikuar 16 kandidatë në këtë konkurs, kurse testimin në matematikë dhe fizikë, por edhe testin psiko-fizik e kanë kaluar 10 prej tyre. Gjithashtu si kriter tjetër ka qenë edhe mosha e kandidatëve e cila duhej të ishte mbi 18 vjeç e deri në 21 vjeç.

"E konstatuam gjendjen kritike të personelit të aviacionit në RMV, prandaj edhe menduam ta shfrytëzojmë mundësinë që na e jep Ligji për Aviacion. Pjesë të mjeteve të ofruara do t’i shpenzojmë në Agjencinë, që t’i zhvillojmë kandidatët në rajone të ndryshme përmes këtij projekti.” – deklaroi Drejtori i Agjencisë për Aviacion Civil, Dragi Stojanovski.
Qëllimi është që të zbutet sa më shumë mungesa e personelit të aviacionit që në vendin tonë është i theksuar. Ky kuadër do të futet edhe në sektorin privat dhe publik, theksoi ministri Aleksandar Nikollovski.
“Nëse më herët, para disa viteve ka qenë e vështirë të futesh në rrjetin e aviacionit, ka qenë ëndërr e parealizuar dhe ka pasur pak pilot, i kemi ditur me emra pilotët e kohës, tani ja erdhi dita që të trajnojmë pilot që më parë aq në numër nuk kanë qenë, gjithsesi po t’i numërosh.” – tha Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
Të hënën do të jetë i shpallur konkursi i ri edhe për trajnimin edhe të 9 pilotëve të rinj. Autoritetet besojnë se kjo do të lehtësojë mungesën kronike të pilotëve në vend, e cila ndihet më shumë gjatë periudhës së verës, kur nevojiten edhe pilot për helikopterë në intervenimin e shuarjeve të zjarreve në vend. (Fitore Demolli, TVM2)
