Ukraina, ditë zie në Kiev pas sulmit masiv rus
Ditë zie në Kiev pas sulmit masiv rus...

Ditë zie në Kiev pas sulmit masiv rus, ku u vranë 15 persona dhe mbi 130 të tjerë u plagosën. Moska pretendon se trupat ruse e kanë pushtuar Çasiv Jarin. Forcat ukrainase në terren thonë se situata në rajonin e Donetskut mbetet e pandryshuar.
"Në front, veçanërisht në drejtimin e Pokrovskut, njësitë tona ende mbajnë pozicionet e tyre; atje luftimet janë më intensive. Për Çasiv Jarin – kjo është dezinformim rus. Njësitë ukrainase po mbrojnë pozicionet tona dhe në fund po i zmbrapsim të gjitha përpjekjet ruse për avancim në rajonet Donetsk, Sumi dhe Kharkiv” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dënon Rusinë dhe presidentin, Vladimir Putin, në momentin kur afati për Moskën që të ndalë luftën po afrohet.
"Na kanë mbetur rreth tetë ditë. Po, do të vendosim sanksione. Nuk e di nëse ato e shqetësojnë. Nuk e di nëse kanë ndonjë efekt, por do ta bëjmë këtë. Evropa është jashtëzakonisht e shqetësuar. Por kjo është një luftë që nuk do të ndodhte kurrë po të isha unë president. Kjo është lufta e Bidenit” – u shpreh Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Ultimatumi i Trump konsiderohet si mesazhi më i ashpër deri më tani për presidentin rus nga ana e Uashingtonit, i cili mund të ndikojë në rrjedhën e përpjekjeve diplomatike në ditët në vijim.
Deri tani, Kievi dhe Moska kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh. (Armend Murseli, TVM2)
