VLEN miraton listën e kandidatëve për kryetarë komunash

01.08.2025 20:25

Kryesia Qendrore e VLEN-it...

Kryesia Qendrore e VLEN-it ka miratuar listën e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale, që janë paraparë për tu mbajtur në muajin tetor të këtij viti.

Në Tetovë kandidat i VLEN-it do të jetë kryetari aktual, Bilall Kasami. Në Çair do të kandidojë Zv.Kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së, Izet Mexhiti, derisa në Strugë VLEN-i do të mbështesë kandidatin e pavarur, Mendi Qyra.

Në Kërçovë VLEN-i do ta kandidojë ministrin e Politikës Sociale, Fatmir Limani, në Dibër kandidat i VLEN-it do të jetë zëvendësdrejtori i Dejtorisë së të Hyrave Publike, Fisnik Mela.

Në Qytetin e Shkupit, VLEN-i e propozon drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve të Përgjithshme në Qendrën Klinike Universitare në Shkup, Bashkim Bakiu.

Në Saraj, kandidat i VLEN-it do të jetë Drejtori i ndërmarrjes “Nomagas”, Muhamed Elmazi, në Likovë VLEN-i do ta kandidojë drejtorin e Rezervave Shtetërore të Naftës, Nexhmedin Sadiku, derisa në Haraçinë do të garojë me Daut Beqirin.

Në Zhelinë do të vazhdojnë me kryetarin aktual të kësaj komune, Blerim Sejdiu. Në Tearcë do të kandidojë drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Daut Memishi, në Bogovinë VLEN-i e kandidon Feti Abazin, derisa në Bërvenicë do të dalë në zgjedhje me Drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, Haqim Ramadani.

Nga VLEN thonë se ende nuk ka vendim të prerë për kandidatët për Komunën e Gostivarit, Vrapçishtit, Studeniçanit dhe Çashkës dhe se janë në bisedime me disa kandidatë të mundshëm, gjithnjë në përpjekje për t’i ofruar emrat më të mirë për këto komuna.