Maqedoni
81 vjetori i KAÇKM-së, Bendevska: Na nevojitet unitet kombëtar
02.08.2025 14:55
Me nderime dhe vendosje kurorash me lule, në qendrën memoriale të KAÇKM-së...

Me nderime dhe vendosje kurorash me lule, në qendrën memoriale të KAÇKM-së në fshatin Pelince të Kumanovës u shënua 2 gushti, 81-vjetori i mbledhjes së parë të Komitetit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë.
Në këtë vend simbolik, ku praktikisht u vendosën themelet e shtetit maqedonas, përfaqësues të institucioneve shtetërore theksuan rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe ruajtjes së trashëgimisë historike.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, apeloi për tejkalimin e ndasive dhe për ndjekjen e vizionit të delegatëve të KAÇKM-së, duke theksuar nevojën për unitet rreth qëllimeve kombëtare.
“Të bashkohemi rreth platformës kombëtare për unitet kombëtar maqedonas, që do të përcaktojë vijat e kuqe kombëtare. Ëndrra jonë për Ilindenin e katërt është Maqedonia e lirë, e zhvilluar dhe e barabartë, anëtare e Bashkimit Evropian. Që ta arrijmë atë, që të hyjmë në BE me kokën lart, me identitetin tonë të ruajtur, me historinë shekullore, traditën dhe gjuhën maqedonase, duhet të jemi të bashkuar”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska.
Mbledhja e parë e KAÇKM-së u mbajt më 2 gusht 1944, në manastirin “Shën Prohor Pçinski”. Ajo përbën një nga momentet themelore në ndërtimin e shtetësisë maqedonase, duke shpallur formimin e shtetit, zgjedhur Këshillin e përkohshëm të Maqedonisë me Metodija Andonov-Çenton në krye dhe duke vendosur gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare në administratë, arsim dhe drejtësi.
Kjo mbledhje shënoi fillimin e organizimit institucional të Maqedonisë si pjesë përbërëse e federatës së re jugosllave, në frymën e luftës antifashiste dhe bashkëpunimit me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
ERSAN PAJAZITI
