Maqedoni

Kremtimi i Ilindenit, liderët opozitarë ftojnë në unifikim dhe barazi

02.08.2025 15:14

Kryesocialdemokrati Venko Filipçe nga Krusheva ka uruar festën e mëvetësimit...

Kryesocialdemokrati Venko Filipçe nga Krusheva ka uruar festën e mëvetësimit të shtetit duke rikujtuar viktimat e krijimit të themeleve të shtetit modern të Maqedonisë. Sipas Filipçes vendi ka ende shumë angazhim drejt anëtarësimit në BE, andaj ftoi në unitet duke lënë mënjanë përçarjet.
 
“Duhet të pranojmë se lufta jonë në kohë paqeje nuk ka mbaruar, ende duhet të punojmë shumë, që më në fund të bëhemi pjesë e Evropës, të cilës i përkasim, si nga ana qytetëruese, kulturore dhe gjeografike. Ne të gjithë së bashku duhet të punojmë dhe të lëmë mënjanë përçarjet dhe kualifikimet e patriotëve dhe tradhtarëve, sepse patriotizmi i vërtetë është vetëm përparimi i vendit tonë”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Kryetari I BDI – së Ali Ahmeti nëpërmjet një postimi në rrjet ka shkruar se 2 gushti i vitit 1903 ishte përpjekje e përbashkët e shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve për liri dhe barazi. Sipas Ahmetit, tani 2 gushti na gjen në rrethana përballë njëri tjetrit e jo bashkë me njëri tjetrin si dhe me tendenca margjinalizuese dhe të ushtrimit të supremacisë etnike.
 
“Pas vitesh e dekadash kontribut për barazi dhe ndarje të përgjegjësive, sot po shumëzohemi me zero në zbatimin e politikave qeverisëse, në punësimet, në diplomaci, në siguri e shëndetësi, në kulturë e arsim, shëndetësi e ekonomi, integrim europian, dhe kudo. Marrëveshja e Ohrit, e cila paraqet manifest modern të Krushevës, po tentohet që të zhbëhet, duke larguar gjuhën shqipe nga çdo përdorim zyrtar, duke larguar flamurin kombëtar shqiptar, duke e anuluar edhe Balancuesin dhe Badinterin si garanca për parandalim nga majorizimi dhe mbivotimi”, ka shkuar kryetari i BDI – së Ali Ahmeti.
 
Ibrahimi: Festa, themel i shtetit të përbashkët
 
Por sipas kryetarit të Alternativës Zeqirija Ibrahimi, pjesë e koalicionit VLEN, kjo ditë paraqet themelet e një shteti të përbashkët europian.
 
“Janë momente reflektimi për të gjitha përpjekjet dhe sakrificat e bëra nga shumë breza, nga pjesëtarë të ndryshëm të bindjeve politike e përkatësive të ndryshme etnike e religjioze, për një shtet të pavarur, të barabartë e të zhvilluar, që sot aspiron drejt vendeve më të përparuara europiane. Duke shprehur mirënjohje për ato gjenerata, sot urojmë 2 Gushtin e Ilindenit dhe të KAÇKM-së dhe urojmë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ecë në shtigjet e këtyre themelvënësve të shtetit që sot e gëzojmë të gjithë”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi njëri nga liderët e VLEN – it.
 
MERAL ISMAILI