Maqedoni
Kredia hungareze, ASh: Kompanitë shqiptare nuk përfituan as 10%
02.08.2025 15:52
Aleanca për shqiptarët krahu i Taravarit kërkon nga qeveria që të publikojë...

Aleanca për shqiptarët krahu i Taravarit kërkon nga qeveria që të publikojë listën e plotë të përfituesve nga kredia hungareze, sqarim të qartë të kritereve të ndarjes së fondeve dhe projekteve të financuara dhe auditim të pavarur dhe publik të të gjithë procesit.
Sipas tyre, një vit më vonë nga nënshkrimi i kredisë hungareze prej 500 milionë eurove, qytetarët shohin të vërtetën e hidhur sepse konsiderojnë se nga kjo kredi kanë përfituar të afërmit e pushtetit dhe biznesi maqedonas, edhe pse është thënë se do të përkrahen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të ketë barazi në shpërndarjen e mjeteve.
“Nga 250 milionë euro të dedikuara për investime, deri më tani janë ndarë 125 milionë, por taksapaguesit nuk e dinë ku kanë shkuar këto mjete. Asnjë listë përfituesish, asnjë emër, vetëm numra abstraktë dhe fjalë boshe. E ndërsa qeveria flet për “zhvillim”, kompanitë shqiptare mbeten të përjashtuara. Kompanitë shqiptare nuk kanë përfituar as 10% të këtyre fondeve. Ky është diskriminim me vulë shtetërore. Një padrejtësi e planifikuar, e heshtur nga institucionet dhe e justifikuar me propagandë qeveritare”, u shpreh Arben Halili nga Aleanca për shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët e quan këtë politikë përjashtuese dhe kthim në praktikën e të së kaluarës, ndërkaq për shqiptarët do të jetë një borxh që nuk e morën por që do ta paguajë. Ky subjekt politik zotohet se nuk do të heshtë dhe se vazhdimisht do të kërkojë llogari nga qeveria, që shqiptarët të mos konsiderohen të tepërt dhe ndaj tyre të mos bëhet padrejtësi e institucionalizuar.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
