Botë

Konflikti Ukrainë - Rusi, Trump zhvendos dy nëndetëse bërthamore

02.08.2025 16:33

Dy nëndetëse bërthamore janë ricaktuar në pozicione të përshtatshme...

Dy nëndetëse bërthamore janë ricaktuar në pozicione të përshtatshme, njoftoi Presidenti i SHBA-së Trump. Ai theksoi se vendimi u mor pas kërcënimeve nga ish-Presidenti rus Medvedev, i cili shkroi se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, pas ultimatumit të Trump për sanksione shtesë kundër Moskës nëse nuk arrihet një armëpushim në Ukrainë.
 
"Na u desh ta bënim. Duhet të jemi të kujdesshëm. U bë një kërcënim dhe ne besojmë se ishte i përshtatshëm. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm. Po e bëj këtë për të mbrojtur popullin tonë. Kërcënimi vjen nga një ish-president i Rusisë dhe ne do ta mbrojmë popullin tonë", u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Ndërkohë Rusia po intensifikon sulmet e saj në territorin ukrainas. Pas sulmit vdekjeprurës në Kiev, në të cilin u vranë mbi 30 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, sot me sulme të reja në disa rajone. Ka të vdekur dhe të plagosur. Presidenti ukrainas Zelensky bëri thirrje edhe një herë për sanksione të forta kundër Rusisë.
 
"Të gjitha financat ruse, çdo skemë që mbush buxhetin rus, duhet të jetë qëllimi i botës. Vetëm kjo do ta bindë Moskën të punojë sinqerisht për një marrëveshje paqeje", theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky.
 
Nga ana tjetër, presidenti rus Putin nuk është optimist. Ai paralajmëroi se nuk duhet të ketë pritje të tepërta nga bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit që po zhvillohen në Stamboll.
 
"Sa i përket çdo zhgënjimi nga kushdo, të gjitha zhgënjimet lindin nga pritjet e tepërta. Ky është një rregull i përgjithshëm i njohur. Është e nevojshme të zhvillohen bisedime të plota për të arritur një zgjidhje paqësore, dhe kjo duhet të bëhet me qetësi gjatë procesit të negociatave, dhe jo publikisht", u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi do të ketë urdhri i Trumpit për vendosjen e nëndetëseve bërthamore, të cilat zakonisht patrullojnë rregullisht pikat e nxehta kryesore në botë, por vendimi vjen në një moment delikat në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës.
 
Trumpi e ka shkurtuar ultimatumin fillestar nga 50 ditë në 10 ditë për të arritur një marrëveshje armëpushimi ose për t'u përballur me sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë.
 
E para që u godit ishte India, e cila njoftoi dënime shtesë për blerjen e naftës dhe armëve ruse, pas së cilës New Delhi i ktheu tankerët rusë. Ndërkohë, i dërguari special i SHBA-së Witkoff po udhëton për në Moskë për të ushtruar presion mbi Rusinë që të përfundojë luftën në Ukrainë brenda afatit të caktuar nga Presidenti Trump.
 
ARMEND MURSELI