Maqedoni
Gjuha e urrejtjes në ndeshjen Maqedoni - Rumani, VLEN dënon thirrjet ksenofobe ndaj shqiptarëve
03.08.2025 15:48
Koalicioni VLEN ka dënuar thirrjet ksenofobe ndaj shqiptarëve...

Koalicioni VLEN ka dënuar thirrjet ksenofobe ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027, e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. VLEN fton institucionet kompetente, federatat sportive dhe organeve shtetërore që të veprojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo akti që cenon bashkëjetesën dhe multietnicitetin.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë, maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt”. Thirrjet me frymë fashiste nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më.”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
ASh dhe BDI kërkojnë përgjegjësi institucionale
Ka reaguar dhe opozita shqiptare duke kritikuar heshtjen e kryeministrit Mickoski dhe bashkëpunëtorëve të tij. Opozita kërkon hetim dhe reaksion të qartë nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes.
“Për ne në BDI, këto akte janë një alarm i madh për demokracinë, për bashkëjetesën dhe për sigurinë e qytetarëve në këtë vend. Askush nuk ka të drejtë të promovojë pastrime etnike në stadiume dhe të luajë politikisht me ndjenjat e një populli që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ndërtimin e këtij shteti”, thuhet në reagimin e BDI-së.
VMRO- DPMNE dënon incidentin
Incidenti është dënuar nga partija e Mickoskit. Nga VMRO – DPMNE thonë se thirrjet ksenofobe janë rezultat I një grupi të vogël të qytetarëve.
“Dënojmë çdo gjuhë të urrejtjes dhe nacionalizmit pa marrë parrasysh se nga kush vjen. Keqpërdorimet e tilla shkojnë në favor të të gjitha rrymave politike dhe strukturave të cilat me dekada bëjnë politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit. Nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes është arsyetimi më I mirë I krimit të strukturave të cilat ndër vite kanë keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike dhe shohin shansin për të shpëtuar karrierat dhe ekzistencën në politikë”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO - DPMNE.
LSDM: Përpjekje për të krijuar ndasi
LSDM gjuhën e urrejtjes e quan si përpjekje për të krijuar ndasi midis qytetarëve.
“Një sjellje e tillë synon të minojë bashkëjetesën dhe paqen në vend, por dëmton edhe sportin. LSDM u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë të arsyeshëm, të mos i nënshtrohen provokimeve dhe nacionalizmit të dhunshëm që aktivizohet qëllimisht sa herë që afrohen zgjedhjet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Skandalin racist antishqiptarë e dënuan edhe shumë deputetë si dhe ish funksionarë shqiptarë në vend.
MERAL ISMAILI
