Gjendja me zjarret, QMK: Katër zjarre aktive, dy nën kontroll
Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend....

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me stuhitë. Qendra për Menaxhim me Kriza informon se brenda 24 orëve të fundit në gjithë teritorin e vendit tonë janë regjistruar gjithsej 23 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre 17 janë shuar tërësisht, ndërsa mëngjesin e së hënës kanë rezultuar të jenë aktiv vetëm zjarre aktive edhe atë në komunën e Çashkës, Likovës, Studeniçanit dhe Makedonski Brod.
Ekipet e zjarrëfikësve, armatës, policisë, vullnetarëve dhe punonjësve komunal, kanë arritur të vënë nën kontroll të pjesërishëm dy prej tyre, ndërsa në dy të tjera ende po punojnë në shuarjen e vatrave aktive.
“Janë evidentuar katër zjarre në ambiente të hapura, prej të cilave aktiv janë vetëm dy prej tyre, repsektivisht në komunën e Çashkës, në fshatin Bogomil. Në terren veprojnë tre automjetet e specializuara të DMSH-së dhe zjarrëfikësit lokal poashtu. Zjarri në komunën e Dollnenit në vendin e quajtur Klepalë është nën kontrollë, derisa në terren janë për momentin ekipet e NP ‘Pyjet e Maqedonisë’” – tha Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
NP “Pyjet e Maqedonisë”, 5 mijë hektarë tokë pyjore pësojnë nga zjarret
Autoritetet e vendit tashmë përllogarisin dëmet e shkaktuara nga zjarret. Prej fillimit të këtij viti e deri më sot, nga NP “Pyjet e Maqedonisë” informojnë se rreth 5 mijë hektarë tokë janë djegur në zonat malore.
“Prej fillimit të këtij viti, e deri më sot, kemi pasur rreth 50 zjarre në zonat pyjore ku deri tani sipas të dhënave, zjarret janë përhapur në 3.472 hektarë tokë. Gjatë muajit korrik patëm 2 zjarre me përmasa më të mëdha, edhe atë zjarri në Nikoliq dhe zjarri në Malin Goten mes komunave të Vasilevës, Radovishit dhe Berovës. Zjarri në Nikoliq përfshiu rreth 2.000 hektarë, ndërsa në malin Goten zjarri përfshiu 4.000 hektarë” – u shpreh Zv.Drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kiril Mihailov,
Ulja e temperaturave padyshim se ka ndihmuar në lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve, por pavarësht kësaj, autoritetet e Drejtorisë për Mbrotje dhe Shpëtim, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe në qoftë se vërejnë zjarre mënjëherë t’i denoncojnë ato. (Rexhep Qamili, TVM2)
