Thirrjet antishqiptare shkaktuan reagime në Kosovë e Shqipëri

04.08.2025 13:41

Thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani...

Thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani kanë shkaktuar reagime edhe në Kosovë e Shqipëri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

Kërkoi që autoritetet të veprojnë dhe të ndëshkojnë ata që nxisin urrejtje.

“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”. – tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i cilësoi si të papranueshme thirrjet fyese ndaj shqiptarëve.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit” – deklaroi Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, tha se “thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne”, duke shtuar se bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm dhe respektim të rregullave. (Armend Murseli, TVM2)