Komiteti i Helsinkit dënon fuqimisht përhapjen e gjuhës së urrejtjes

04.08.2025 14:11

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut...

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut përkrahu vendimin e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë, për të nisur procedurat lidhur me thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes ekipeve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua më 2 gusht në Kumanovë.

“Veprime të tilla provokojnë urrejtje dhe intolerancë bazuar në përkatësi etnike, siç përshkruhet në nenin 319 të Kodit Penal. Tribunat sportive vazhdojnë të jenë një hapësirë ku përhapen mesazhe ofenduese dhe diskriminuese, veçanërisht në baza etnike dhe kombëtare. Gjuha e tillë, veçanërisht kur manifestohet publikisht, ka potencialin të shkaktojë përçarje të thella, të prishë kohezionin ndëretnik dhe ka potencial të shkaktojë krime urrejtjeje”, - thuhet në kumtesën e Komiteti të Helsinkit.

Sipas Komitetit të Helsinkit ngelet shqetwsues fakti se të pranishëm në sallë ishin zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrin, Ivan Stoiljkovic, si dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës dhe kreun e ZNAM, Maksim Dimitrievski.

“Është shqetësuese që asnjë nga këta zyrtarë të lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve ofenduese gjatë ndeshjes. Politikanët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe kështu të normalizojnë gjuhën e urrejtjes, sepse duke vepruar kështu ata kontribuojnë në nxitjen e atmosferës së përçarjeve, tensioneve dhe destabilizimit. Komiteti i Helsinkit monitoron dhe reagon vazhdimisht ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime të urrejtjes. Përveç kësaj, etnia ka dominuar për vite me radhë si baza më e zakonshme për gjuhën dhe aktet e urrejtjes, dhe autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon fuqimisht përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, sportivë dhe shoqërorë që të kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektit për diversitetin”, thuhet në deklaratë. (Fitim Kryeziu, TVM2)