BE sërish me porosi për Kosovën dhe Serbinë, rruga evropiane kalon nëpërmjet dialogut

04.08.2025 15:08

Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë...

Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut, përsërisin qëndrimin autoritetet në Bruksel, duke bërë të ditur se si ndërmjetësues në dialog janë duke punuar intensivisht me të dyja palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura. 

Ky reagim i Brukselit vjen pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një bisedë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar rëndësinë e bisedimeve Kosovë–Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura. 
 
"BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre drejt BE-së. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, kanë nënvizua nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian. 
 
Njëherit bëhet e ditur se pas takimit të fundit të kryenegociatorëve në qershor, BE-ja mbetet e gatshme të organizojë raundin e ardhshëm të dialogut sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për takim, qoftë në nivel teknik apo politik. 
 
Trump parandaluam luftën mes Serbisë dhe Kosovës

Sa u përket raporteve Kosovë-Serbi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, ka folur sërish për angazhimin e tij në parandalimin e konfliktit. 
 
"Kosova, e dini për këtë. Serbia, ajo do të shpërthente”, ka thënë Trump në një intervistë për gazetarin australian Mario Nawfal, duke theksuar se ka arritur të ndalojë shpërthimin e mundshëm të luftës mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu si edhe disa konflikte tjera në botë. (Gyltene Sinani, TVM2)