Maqedoni
Zgjedhjet lokale, ministrat kandidatë në detyrë, Mickoski: S’ka asgjë të paligjshme
04.08.2025 15:27
Pas kandidaturës së Izet Mexhitit dhe Fatmir Limanit për kryetarë komunash...

Pas kandidaturës së Izet Mexhitit dhe Fatmir Limanit për kryetarë komunash, Qeveria nuk do të emërojë ministra të rinj, sepse ata nuk kanë dhënë dorëheqje dhe i kryejnë detyrat në resorët e tyre, për më tepër që kanë edhe zëvendësministra, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.
I pyetur nëse do të ketë rikonstruim të Qeverisë dhe nëse po mendohet se kush do të vijë në vend të ministrit të ambientit dhe zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, pasi ai e shpalli kandidaturën për Çair, dhe në vend të Fatmir Limanit, që do të jetë kandidat i VLEN për Kërçovë, kryeministri u përgjigj se ata nuk kanë dhënë dorëheqje, i kryejnë detyrat e tyre, por edhe se çdo ministër ka zëvendësministër.
“Ata nuk dhanë dorëheqje. Është normale që do t’i kryejnë detyrat e tyre në ministritë përkatëse, në resorët ku janë ministra dhe njëkohësisht do të jenë kandidatë. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, shpesh ka ndodhur në të kaluarën. Prandaj, gjithçka që ka të bëjë me funksionimin normal të institucioneve do të vazhdojë në atë drejtim”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.
Bekim Sali do të zëvendësojë Mexhitin, Mexhiti: Ka përvojën dhe përgaditjen e duhur
Ndërkohë zv/kryeministri Izet Mexhiti, theksoi se nëse do të fitoj garën për komunën e Çairit, atëherë në postin e zv/kryeministrit do të vjen Bekim Sali.
“Në kuadër të VLEN-it kemi bërë analizat tona dhe në momentin që kthehem në Komunën e Çairit, si kryetar i Çairit, për zv/kryeministër kemi vlerësuar bashkërisht se njeriu i cili ka aftësitë, ka përvojën, e ka dijen, është i gatshëm për punë ekipore dhe ta bëjë edhe më mirë se unë, është Bekim Sali, i cili është afër meje. Pra, i ndërrojmë rolet”, u shpreh zv/kryeministri Izet Mexhiti.
Ndërkohë, Mickoski ka bërë me dije se nga fundi i gushtit do të përfundojë lista me kandidatët për kryetarë komunash nga VMRO-DPMNE dhe do të bëhen të ditura edhe emrat për komunat për të cilat ende nuk janë shpallur.
Sa i përket përfundimit të listës me kandidatë për kryetarë komunash nga VMRO-DPMNE, ai tha se kanë dilema mes disa personave në disa komuna. Sa i përket faktit që shumë lista të pavarura po shndërrohen në parti politike dhe nëse mund të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor, kryeministri u përgjigj se afati për Kodin ka kaluar dhe se si Qeveri respektojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
ERSAN PAJAZITI
