Maqedoni
Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, Mickoski: Nuk i vuna re por rasti do të hetohet
04.08.2025 15:46
Kryeministri Hristijan Mickoski dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe...

Kryeministri Hristijan Mickoski dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe të disa personave që janë dëgjuar gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë. Shton se gjatë kohës kur zhvillohej loja, nuk i kishte vërrejtur këto thirrje, por megjithatë shprehu qëndrim të qartë kundër çdo forme të nacionalizmit dhe urrejtjes etnike.
“Për të qenë i sinqertë, përderisa isha aty, as që i vura re këto brohoritje, sepse bëhej fjalë për një grup të vogël. Por, shfrytëzoj rastin që të përfshihem në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, së pari ndaj asaj që ndodhi në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë dhe t’u bëj thirrje të gjitha grupeve tifoze që të përkrahin ekipin e tyre në mënyrë sportive. E tërë kjo do të jetë lëndë hetimore dhe sanksionuese, pa marrë parasysh se nga cila anë vjen”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
BDI: Qeveria të dënojë gjuhën e urrejtjes
Për BDI-në, thirrjet antishqiptare në ndeshje shpërfaqin urrejtje etnike, që sipas këtij subjekti, gjetën tolerancë nga krerët shtetëror të pranishëm në sallë. Ftojnë prfaqësuesit shqiptarë në qeveri që të distancohen publikisht nga kjo ngajre dhe të tërhiqen nga një qeveri që toleron dhe shpërblen urrjetjen.
“BDI e ka bërë të qartë: nuk do të lejojmë që shqiptarët dhe çdokush nga qytetarët të bëhet shënjestër e thirrjeve fashiste në vendin ku janë bashkëthemelues të shtetit. Për këtë arsye, ne kërkojmë përgjegjësi politike konkrete – dorëheqje të menjëhershme të Astrit Isenit, zëvendësministër i punëve të brendshme dhe dorëheqje të Safije- Sadiku Hiseni, zëvendësministre për sport, për mosveprimin, mosreagimin, paaftësinë dhe heshtjen përballë një sulmit të rëndë ndaj dinjitetit të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëjetesës ndëretnike”, theksoi Emir Sulejmani nga BDI.
VLEN: BDI ishte e heshtur gjersa gëzonte pushtet, prokuroria ka nisur hetimet
Nga koalicioni VLEN sërish etiketojnë BDI-në si parti që gjithmonë fshihet pas fjalëve “patriotizëm”, “dinjitet” dhe “e ardhme”, ndërkaq akuzojnë se ka lënë pas tragjedi të pandëshkuara si rasti “Monstra”, “Lagjia e Trimave” “Vdekja e Almirit”, aksidentet me autobusët dhe raste tjera që lidhen me pasurim imoral.
“Ngjarja në Kumanovë ishte një incident i rëndë, i cili shqetësoi të gjithë opinionin. VLEN e dënoi ashpër atë. Megjithatë, ndryshe nga koha kur BDI ishte pjesë e qeverisë dhe raste të tilla mbuloheshin dhe injoroheshin, sot shteti reagon shpejt, me vendosmëri dhe në mënyrë transparente”, u shpreh Driton Sulejmani nga koalicioni VLEN.
Për këto thirrjet antishqiptare Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë, ka hapur procedurë hetimore dhe ka lëshuar udhëzime për SPB Kumanovë për të hetuar elementet e një vepre penale lidhur me thirrje me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, tani për tani, nga persona të panjohur.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, është dhënë gjithashtu urdhër për sigurimin e inçizimeve nga kamerat e sigurisë, me qëllim, identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
