Botë
Lindja e Mesme, banorët e Gazës mes urisë dhe mbijetesës
04.08.2025 16:09
Banorët e Gazës vazhdojnë të jenë të shtypur mes urisë dhe luftës së përditshme...

Banorët e Gazës vazhdojnë të jenë të shtypur mes urisë dhe luftës së përditshme për mbijetesë, shpëtimin e vetëm e shohin në dërgimin e ndihmave humanitare. Pas reagimeve të forta në opinionin ndërkombëtar, Izraeli javën e kaluar ndërmori hapa për të rritur fluksin e ushqimit në enklavë.
Ata pretendojnë se është lejuar hyrja e 1,200 kamionëve me ndihma, dhe se qindra pako janë hedhur nga ajri. Megjithatë, raportet nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare thonë se kushtet për banorët në Gaza nuk janë përmirësuar. Presidenti Trump thotë se SHBA po bënë gjithçka për të rritur ndihmën humanitare.
“Ne vetëm vërtet duam t'i ushqejmë njerëzit... Ne jemi vendi i vetëm që vërtet po e bëjmë këtë... Po investojmë para për t'i ushqyer njerëzit... Stiv Vitkof e ka kryer punën shkëlqyeshëm... Po japim kontribuime të mëdha për të blerë ushqim, që njerëzit të mos jenë të uritur... Ne nuk duam që njerëzit të vuajnë nga uria”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Dhe militantët palestinezë po e përdorin urinë si armë... Hamas thotë se është i gatshëm t'i japë leje Kryqit të Kuq për të dërguar ushqim dhe barna për pengjet, por kushti është që Izraeli të lejojë një furnizim të gjerë dhe të vazhdueshëm për popullsinë palestineze në Gaza. Por, kryeministri Netanyahu theksoi se Izraeli nuk do të thyhet, pavarësisht propagandës së Hamas.
“Ata po i lënë pengjet të vdesin nga uria, siç i linin nazistët hebrenjtë të vdesin nga uria... Kur i shoh videot, kuptoj saktësisht se çfarë do Hamas... Ata nuk duan marrëveshje, ata duan që ne të thyhemi, duke përdorur këto video të tmerrshme dhe propagandën e rreme të tmerrit që po e përhapin në mbarë botën, por nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë... Tani kam një vendosmëri edhe më të madhe për t'i çliruar pengjet dhe për të eliminuar Hamasin”, theksoi kryeministri i Israelit, Benjamin Netanyahu.
Ofensiva izraelite nuk ndalon, në horizontin e enklavës sot janë vërejtur shpërthime të fuqishme. Ndërkohë, misioni izraelit në Kombet e Bashkuara njoftoi se ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për gjendjen e pengjeve që i mban Hamas. Mbledhja është caktuar për nesër.
ARMEND MURSELI
