Rritet nota mesatare e maturës shtetërore, shënohen rezultate më të mira në matematikë

05.08.2025 13:42

Me një mesatare më të lartë se ajo e vitit të kaluar...

Me një mesatare më të lartë se ajo e vitit të kaluar, maturantët përfunduan dhënien e provimeve të maturës shtetërore në afatin e qershorit për vitin shkollor 2024–2025. Nota mesatare e suksesit nga dy provimet eksterne të maturës shtetërore, sivjet është 3.69.

Ministreja e Arsimit, Vesna Janevska, në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtoreshën e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Mihajlovska, shpallën rezultatet e provimeve në të cilat morën pjesë 15.004 maturantë.

“Nota mesatare e arritur nga ata që morën pjesë është 3.69, që paraqet një përmirësim të dukshëm krahasuar me atë të vitit të kaluar, e cila ishte 3.26. Në të gjitha lëndët është vërejtur përmirësim i rezultateve, dhe mendoj se ky është fryt i përgatitjes së mirë të nxënësve dhe rekomandimeve që i kemi dhënë të gjithë faktorëve të përfshirë në proces.” – tha Ministreja e Arsimit, Vesna Janevska.

“Në lëndën e gjuhës amtare, vitin e kaluar nota mesatare ishte 3.37, ndërsa tani është 3.68. Për gjuhën angleze ishte 3.06, kurse tani është 3.65. Për gjuhën frënge tani është 4.67, ndërsa vitin e kaluar ishte 4.47. Veçanërisht janë përmirësuar rezultatet në matematikë. Vitin e kaluar nota mesatare ishte 3.73, ndërsa këtë vit është 4.14. Nga 1.239 nxënës që dhanë provim në matematikë, 651 kanë marrë notën pesë. Pra, nuk është edhe aq e vështirë të kalohet matematika.” – u shpreh Drejtoresha e Qendrës shtetëore të provimeve, Daniela Mihajllovska.

Ata që nuk e kaluan provimin e qershorit do të kenë të drejtë të japin provimin e shkollës së mesme në semestrin e gushtit. Më 12 gusht mbahet provimi në gjuhën amtare (maqedonase, shqipe, turke, serbe) dhe letërsi, dhe më 14 gusht mbahet provimi opsional i jashtëm (matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi, estetikë).

Matura shtetërore zbatohet që nga viti 2007, në afatin e qershorit dhe të gushtit. Ajo nuk u organizua vetëm një herë në fund të vitit shkollor 2019/2020, për shkak të pandemisë COVID. (Abibe Qaili, TVM2)