Konstituimi i Kuvendit, pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese në Kosovë...

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ende është duke i shqyrtuar kërkesat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa deri më 8 gusht pritet përgjigjja, çka pas skadimit të afatit 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, për çka pushteti dhe opozita nuk arritën të dakordohen.
“Kërkesat e fundit përkitazi me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të trajtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura në kërkesat e parashtruara. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, - ka thënë Kushtetuesja për mediat në Prishtinë.
Prattipati: SHBA-ja dëshiron tejkalimin e ngërçit politik
Ndërkohë e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.
Ajo ka thënë se Administrata Trump, “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.
“Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e SHBA-së prioritizon sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara. Ka potencial të madh në marrëdhënien SHBA-Kosovë, veçanërisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për Kosovën. Ne shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike. Në anën tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë”, ka thënë diplomatja amerikane për mediat në Prishtinë. Ajo ka shtuar se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”. (Gyltene Sinani, TVM2)
