Gaza nën kërcënim të ri, Netanjahu paralajmëron okupim të plotë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu...

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu njoftoi okupimin e plotë të Rripit të Gazës. Ai është i vendosur të shkojë deri në fund për të liruar pengjet dhe për të shkatërruar Hamasin.
Do të kërkojë mbështetje nga kabineti për të arritur objektivat ushtarake.
“Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë për të arritur objektivat ushtarake që i kemi caktuar: mposhtjen e armikut, lirimin e pengjeve tona dhe garantimin që Gaza nuk do të jetë më kërcënim për Izraelin. Këtë javë do ta thërras kabinetin për t’u dhënë udhëzime forcave të mbrojtjes se si t’i realizojnë ato” – tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ministria e Jashtme palestineze i dënoi planet e shpallura dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë menjëherë për të parandaluar zbatimin e tyre.
Për armëpushim bëjnë thirrje edhe familjarët e pengjeve, nga frika se ofensiva e zgjeruar do të rrezikojë jetën e tyre. Agonia është shumë e madhe, thotë babai i pengut të uritur Braslavski.
“E sheh fëmijën tënd, s’ka shumë çfarë të shtosh, e sheh duke vdekur para syve të tu dhe nuk mund të bësh asgjë. Është e padurueshme dhe të çmend.” – tha Ofir Braslavski, baba i pengut izraelit, Rom Braslavski.
Në enklavë vazhdojnë shpërthime të reja. Lufta për mbijetesë e civilëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa ndihma humanitare është e pamjaftueshme.
“Është e rrezikshme dhe plot me vdekje, e gjithë kjo është poshtëruese. Vetëm 30% e njerëzve mund të marrin ndihmë, të tjerët nuk marrin asgjë. Jemi falënderues që sjellin ndihmë, por ajo është e mbushur me rrezik dhe vdekje” – u shpreh Asad AL-Karaan, palestinez nga Deir Al-Balah.
E tronditur nga pamjet e vuajtjes, ministreja e Jashtme australiane, Peni Wong, bën thirrje për një rrugë drejt zgjidhjes me dy shteteve në Lindjen e Mesme.
“Do t’i bëjmë thirrje kryeministrit Netanjahu të dëgjojë 600 ish-zyrtarët izraelitë të sigurisë të cilët bënë thirrje për armëpushim si mënyra më e mirë për të siguruar kthimin e pengjeve në shtëpi. Duam që ndihma të arrijë. Njoftova për ndihmë shtesë për Gazën, përmes kanaleve që dimë se kanë arritur të sjellin ndihmë dhe po punojmë me bashkësinë ndërkombëtare drejt takimit të OKB-së në shtator, për rrugën drejt një zgjidhjeje mes dy shteteve” – deklaroi Ministreja e Jashtme e Australisë, Peni Wong.
Forcat e mbrojtjes izraelite aktualisht kontrollojnë rreth 75 për qind të Rripit të Gazës, por sipas planit të ri, nga ushtria pritet të pushtojë edhe territorin e mbetur, duke e vendosur të gjithë enklavën nën kontrollin izraelit. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
