Maqedoni

Spital i ri në Kërçovë, Sali: Investim prej 47.5 milionë euro

05.08.2025 15:48

VLEN njofton se Kërçova do të ketë një spital të ri...

VLEN njofton se Kërçova do të ketë një spital të ri, tërësisht modern dhe të ndërtuar nga themeli. Deputeti i këtij koalicioni, Bekim Sali e cilësoi projektin si një fitore njerëzore dhe një hap civilizues për rajonin.
 
Ai theksoi se spitali i ri do të jetë një institucion shëndetësor i denjë për shekullin XXI, i cili do t’i japë fund harresës së gjatë institucionale ndaj qytetarëve të Kërçovës.
 
“Investimi prej 47.5 milionë euro në Kërçovë do të mundësojë ndërtimin e një qendre rajonale të standardeve europiane, me infrastrukturë të re moderne, me pajisje mjekësore të fjalës së fundit dhe me kushte që frymëzojnë siguri e besim për pacientët dhe për personelin profesional. Do të jetë një spital ku mjekësia takohet me etikën, ku profesionalizmi takohet me respektin, dhe ku shërbimi nuk është privilegj, por e drejtë njerëzore”, u shpreh Bekim Sali nga VLEN.
 
Sipas Salit, spitali do t’i shërbejë qytetarëve të Kërçovës, Pllasnicës, Brodit, Zajazit, Demir Hisarit e më gjerë, duke garantuar trajtim të barabartë dhe përkujdesje dinjitoze.
 
Ai shtoi se investime të mëdha po realizohen edhe në Tetovë, ku pritet ndërtimi i dy objekteve të reja, rikonstruktimi i bllokut të kirurgjisë dhe internistikës, si dhe ngritja e Fakultetit të ri të Mjekësisë. Investimi atje arrin në 77.5 milionë euro dhe synon ta shndërrojë Tetovën në një qendër të plotë klinike dhe akademike.
 
ERSAN PAJAZITI