Maqedoni
BDI dhe ASh - Taravari, në mbrojtje punësohen 71 maqedonas, 1 shqiptarë
05.08.2025 16:25
Punësimet edhe njëherë bëhen mollë sherri në përplasjet politike...

Punësimet edhe njëherë bëhen mollë sherri në përplasjet politike në vend. BDI dënon ashpër përjashtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga procesi i fundit i punësimit në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Nga 74 të punësuarit e fundit:71 janë maqedonas,2 janë nga komuniteti rom,vetëm 1 është shqiptar,asnjë nga komunitetet e tjera. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi! Ky është realizim i një plani sistematik për përjashtimin e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë nga institucionet e sigurisë, nga Armata e vendit, nga administrata shtetërore dhe administrata publike”, theksojnë nga BDI.
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ngrit shqetësimin për punësimet.
“Në radhët e fundit të pranimeve në Armatë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, janë punësuar 71 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar një tregues brutal i përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga strukturat e sigurisë. Në Agjencinë për Kadastrën e Pasurisë së Paluajtshme, bilanci i avancimeve dhe punësimeve të fundit është 25 maqedonas dhe 0 shqiptarë. Në Agjencinë për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë, u punësuan 20 maqedonas dhe 0 shqiptarë”, theksojnë nga ASH e Arben Taravarit.
Përplasje për përfaqësimin, VLEN: Dezinformata që nxisin panik te qytetarët
Reagojnë nga VLEN, duke thënë se pretendimet e opozitës janë dezinformata, të cilat synojnë vetëm të nxisin panikë te qytetarët.
“Këto shifra që i përmend BDI janë tërësisht të pavërteta dhe keqdashëse. Të dhënat zyrtare flasin për një proces të hapur, transparent dhe mbi të gjitha të mbikëqyrur nga institucionet përkatëse që sigurojnë përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Dhe jo vetëm që nuk ka përjashtim të shqiptarëve, por për herë të parë po bëhet korrigjimi real i padrejtësive të trashëguara ndër vite, padrejtësi që ndodhën pikërisht në kohën kur BDI kishte kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet shtetërore”, theksojnë nga VLEN.
Punësimet përplasin partitë politike, LSDM: Numri i punësimeve u ul për 17.000
Ndërkohë, edhe partitë maqedonase përplasen për punësimet. LSDM alarmon se të dhënat janë tronditëse dhe tregojnë se pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së në vitin 2024, në vend ka mbi 17.000 të punësuar më pak. Sipas kësaj partie, kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave ekonomike shkatërruese, kaosit dhe pasigurisë.
"Me këtë Qeveri të paaftë: tregu i punës po ngushtohet, popullsia aktive është e zhgënjyer dhe po largohet, Fondi i sigurimit pensional është nën presion, sepse sot 1,63 të punësuar sigurojnë një pension, ndërsa vetëm një vit më parë ishin 1,74. Qeveria nuk ka strategji, nuk ka vizion, nuk ka masa për të mbajtur dhe krijuar vende të reja pune", thonë nga LSDM.
VMRO: Kemi hapur 16 mijë vende të reja pune
I menjëhershëm, reagimi I VMRO-DPMNE-së. Sipas partisë në pushtet, LSDM-ja e dëshpëruar dhe pa ide kërkon një fije kashte për tu kapur vetëm për vëmendje mediatike.
“Qeveria miratoi Planin Operativ për Punësim 2025 me vlerë prej 40 milionë eurosh, për hapjen e 16.000 vendeve të reja pune.Deri tani janë shpallur dy thirrje publike nga Plani Operativ, i cili përfshin një sërë masash për mbështetjen e punësimit të të rinjve, vetëpunësimit, trajnimeve dhe praktikave, dhe në to kanë aplikuar mbi 7.000 persona”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
ERSAN PAJAZITI
