Maqedoni

Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, reagon Federata Ndërkombëtare e Basketbollit

05.08.2025 16:44

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ka nisur hetim...

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ka nisur hetim mbi thirrjet antishqiptare që shpërthyen gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku një ditë më parë, këtu çështjen e adresoi Federata Shqiptare e Basketbollit.
 
“Në këtë fazë, ne po mbledhim raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në koordinim të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe zbatimin e ligjiT. FIBA pa rezervë dhe ashpër dënon gjuhën e urrejtjes dhe racizmin  në çfarëdo forme” thuhet në reagimin e FIBA-s.
 
Siljanovska Davkova: Turpi ra mbi të gjithë ne
 
Thirrjet ksenofobe ndaj shqiptarëve kanë gjetur dënim edhe nga presidentja e shtetit Siljanovska Davkova, ku sipas saj, turpi për këtë sjellje ka rënë mbi të gjithë. Apelon që urrejtja dhe racizmi të mos kenë vend në asnjë fushë sportive.
 
Sipas saj, nga publiku pritet brohoritje, mbështetje dhe inkurajim, jo fyerje dhe lëndime. Zotohet se s’do të lejojë që fusha sportive të shndërrohet në arenë gladiatorësh.
 
“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, kushedi për të satën herë, nuk pushojnë reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa persona të papërgjegjshëm qëlluan me ‘plumba urrejtje’ ndaj bashkëqytetarëve tanë Shqiptarë, por, na goditën të gjithëve, por edhe veten, dhe, sërish jemi të turpëruar. Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e lojës për të ‘ushtruar’ gjuhën e urrejtjes, për të ofenduar dhe demonizuar me fjalë të helmuara e vrasëse”, u shpreh presidentja e shtetit Siljanovska Davkova.
 
Partitë me akuza dhe kundërakuza, prokuroria vazhdon hetimet
 
Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të përplasen me pretekst rastin e Kumanovës. Blerim Bexheti nga BDI, për Klan Kosovën ka thënë se ngjarja e Kumanovës është një vazhdimësi e tentativës të një narrativi të poshtërimit të shqiptarëve dhe përçimi sipas tij buron nga krijimi i qeverisë pa legjitimitet etnik.
 
Nga koalicioni VLEN ripërsërisin kërkesën ndaj BDI -së, që të përgjigjet dhe tregojë se ku kanë qenë në sitemin kur mbuloheshin tragjeditë dhe krimet ndaj shqiptarëve, ku numërojnë rastin “Monstra”, “Lagjen e Trimave”, rastin “Alfa”, tragjeditë me Durmo Tursin dhe Besa Transin. 
 
Ngjarja në Kumanovë po hetohet nga Prokuroria dhe gjithashtu është dhënë urdhër për sigurimin e inçizimeve nga kamerat e sigurisë, me qëllim, identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.
 
NEMRIN MULAKI FEJZULLAHU