Botë
Rusia sulmon me dronë Harkivin, Lozova goditet me mbi 30 dronë Shahed, Peskov kërcënon me raketa tokësore
05.08.2025 17:07
Një sulm masiv me dronë Shahed goditi Lozovën...

Një sulm masiv me dronë Shahed goditi Lozovën në rajonin e harkivit rreth orës 3 të mëngjesit. Sipas kryetarit të bashkisë Serhii Zelenski, ky ishte sulmi më i rëndë në qytet që nga fillimi i luftës.
Nga shpërthimet u vra një mekanik 55-vjeçar dhe u plagosën katër punëtorë të tjerë. Dhjetë persona u lënduan ose pësuan stres akut, përfshirë dy fëmijë. Dronët dëmtuan stacionin hekurudhor, një depo, një objekt energjie, ndërtesa banimi dhe një kopsht fëmijësh. Për pasojë, u pezullua përkohësisht lëvizja e trenave në zonë. Shërbimet komunale rikthyen energjinë në 90% të zonave, por disa fshatra mbetën pa rrymë.
Në lagjet e prekura u vendos një qendër mobile për raportimin e dëmeve materiale.Sulmi në Lozovë vjen në një moment të tensionuar në arenën ndërkombëtare, ku Rusia po ashpërson qëndrimin e saj ushtarak. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Rusia nuk ndjen më asnjë kufizim në lidhje me vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi të bazuara në tokë.
“Rusia nuk ka më kufizime për këtë çështje. Rusia nuk e konsideron veten të kufizuar nga asgjë. Prandaj, Rusia e konsideron veten të drejtë, nëse është e nevojshme, të marrë masat e duhura, të ndërmarrë hapat e duhur”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp në Bruksel, Komisioni Evropian reagoi me shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit dhe përsëriti akuzat ndaj Moskës për mungesë vullneti për paqe.
"Rusia nuk është e interesuar për paqen. Ukraina është. BE-ja është. Askush nuk dëshiron më shumë paqe sesa Ukraina dhe BE-ja. Dhe pika e dytë është se ne mirëpresim çdo presion, dhe në veçanti presionin e SHBA-së ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim me çdo mjet të nevojshëm", theksoi zëdhënësja kryesore evropiane për çështjet e jashtme dhe sigurinë Anitta M. Hipper.
Brukseli nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të dobësuar kapacitetet ushtarake të Rusisë përmes sanksioneve ekonomike dhe teknologjike.
"Ajo që është e qartë është se qëllimi ynë për të rritur vazhdimisht presionin tonë ndaj Rusisë është gjithmonë i pranishëm, përmes sanksioneve dhe përmes të gjitha mjeteve të tjera që kemi në dispozicion", u shpreh zëvendës zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Arianna Podestà.
Duke komentuar raportet për përdorimin e komponentëve të prodhuar në Indi në raketat e Rusisë, Podestà u shpreh se një gjë e tillë është shqetësuese, por theksoi se çdo masë ndëshkuese ndaj Indisë për momentin është vetëm spekulative.
BELINDA KOKA ADEMI
