Digjet Kalifornia: Tre persona të lënduar nga zjarret, shkrumbohen 29 mijë hektarë
Mbi 1000 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore

Mbi 1000 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore në Shtetet e Bashkuara duke kërcënuar qindra banesa dhe duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.
Sipas të dhënave të fundit flakët kanë shkrumbuar mbi 29 mijë hektarë zone të pyllëzuar si dhe zona të banuara, ndërsa vetëm 5% e zjarrit është vënë nën kontroll sipas asaj që ka deklaruar agjencia Shtetërore e Zjarrfikëseve Call Fire.
Të paktën 3 persona kanë mbetur të plagosur nga zjarri, ku mes tyre një shofer që u dogj nga flakët e automjetit të tij dhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse.
Zjarri i quajtur “Gifford Fire” shpërtheu mbrëmjen e të premtes përgjatë autostradës 166 mes Santa Marias dhe Bakersfield.
Më shumë se 450 struktura përfshirë shtëpi dhe biznese vijojnë të jenë nën kërcënimin e flakëve duke përfshirë edhe veriun e Los Angeles.
Ndihma nga ajri ka qenë e kufizuar për shkak të tymit të dendur, por autoritetet kanë përdorur teknologji infra të kuqe për të monitoruar përhapjen e zjarrit. Erërat e forta me shpejtësi deri ne 40 kilometra në orë kanë përkeqësuar përhapjen e zjarrit. Autoritetet Amerikane kanë nisur hetimet pas dyshimeve se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Kalifornia pritet të goditet nga një vale tjetër e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë celsius këtë të mërkurë, vale kjo e cila do të shtojë rrezikun për zjarre.
