Sorensen në Prishtinë, takime të ndara me Osmanin dhe Kurtin
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen...

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar në Prishtinë ku ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në prononcimin pas takimit Sorensen nuk dha shumë detaje, por theksoi se është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, duke pasur parasyshë edhe krizën politike në të cilën aktualisht ndodhet Kosova.
“Sapo pata një takim me z. Kurti. E takova presidenten herët në mëngjes. Jam këtu si pjesë e diskutimeve të mandatit tim se si të zbatohet marrëveshja e Ohrit, situata në terren. Sigurisht, situata politike këtu do të thotë që gjërat mund të zgjasin pak më shumë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt dhe jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që më pritën në atë mënyrë siç më kanë pritur” – tha Peter Sorensen, përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Më shumë detaje për atë se çka është biseduar u dhanë nga komuniktata e presidencës, nga e cila u bë e ditur se në takimin me emisarin evropian Sorensen, presidentja Osmani është ndalur në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe çështjen e arrstimeve të ish pjestarëve të UÇK-së gjatë kalimit nëpër Serbi.
“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, - thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian, ka thënë Osmani.
Ajo, i ka kërkuar përfaqësuesit të BE-së që procesi negociues në Bruksel të jetë i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta. (Gyltene Sinani, TVM2)
