Moskë, takim mes Vitkof dhe Putin për marrëveshje paqeje

06.08.2025 15:31

I dërguari i posaçëm amerikan, Vitkof...

I dërguari i posaçëm amerikan, Vitkof, ndodhet në Moskë për bisedime me Putinin. Vizita po zhvillohet me kërkesë të Kremlinit, në kushte të kërcënimeve për sanksione nga Trump, nëse Rusia nuk arrin një marrëveshje paqeje me Ukrainën deri të premten.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë beson në diplomaci, por nëse ajo dështon, ka zbuluar se do të ushtrojë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës, përmes uljes së çmimeve të energjisë. Vendimi do të merret pas përfundimit të takimit.

"Do të kemi një takim me Rusinë. Do të shohim çfarë do të ndodhë dhe pastaj do të marrim një vendim." – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Zelensky: Që Rusia të zgjedhë paqen, duhet të mbetet pa para

Sipas disa mediave, Kremlini po shqyrton mundësinë e një armëpushimi ajror si një lëshim ndaj presidentit të SHBA-ve.

"Që Rusia të zgjedhë paqen, duhet t’i mbarojnë paratë për luftë", deklaroi Zelensky pas bisedës telefonike me Trumpin.

"Temë kryesore e jona ishte përfundimi i luftës. Ai është shumë i informuar për sulmet ruse dhe situatën në front. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Moska po fillon të ndjejë presionin global, presionin nga SHBA-të dhe kërcënimin e afërt të sanksioneve më të ashpra. Një nga drejtimet kryesore janë sanksionet mbi naftën ruse. Që Rusia të zgjedhë paqen, duhet të mbetet pa para për luftë." – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në mars, Ukraina dhe Rusia deklaruan se do të respektojnë një moratorium 30-ditor për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike pas bisedimeve me Trumpin, edhe pse secila palë e akuzoi tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.

Në front, lufta vazhdon të përshkallëzohet. Si Kievi, ashtu edhe Moska raportojnë për sulme me dronë. Ndërkohë që Kina dhe Rusia zhvilluan ushtrime të përbashkëta në ujërat pranë Vladivostokut, në kuadër të iniciativës së re të NATO-s për furnizimin e Ukrainës me armë amerikane, pas Suedisë, Norvegjisë dhe Danimarkës, edhe Holanda iu bashkua me një kontribut prej 500 milionë eurosh. (Armend Murseli, TVM2)